Duket se Prokuroria e Përgjithshme e ka marrë seriozisht kërkesën për procedim penal të bërë nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë për ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri.

Kreu i grupit task-forcë në institucionin e akuzës Kostaq Bejluri, kërkoi vërtetësinë e thënieve të ministrit te Tahirit, gjatë 5 daljeve të tij në media ku pretendohet se ka sulmuar gjyqtarin Arian Aliaj dhe disa anëtar të KLD.

 

Organi i akuzës i është drejtuar televizionit publik për ti vënë në dispozicion konferencat e ministrit duke filluar nga data 8 qershor. KLD-ja i cilësoi sulmet e Saimir Tahirit ndaj gjyqtarit Aliaj si të papranueshme, fyese dhe kërcënuese.

Këtë lajm e transmeton Televizioni Vizion Plus, një media e renditur fort në krah të qeverisë

 

Prokuroria po e heton Tahirin për kërcënimet dhe shantazhet e pretenduara ndaj gjyqtarit të Tiranës, ndërsa kallëzimi u regjistrua ditën e premte me poste sekrete.

 

KLD pretendon se sulmi i bërë nga ministri i Brendshëm ishte i motivuar, pasi gjyqtari Aliaj firmosi pezullimin e drejtorit të Policisë Shtetit, Haki Çako lidhur me skandalin e përgjimeve.

 

Gjithashtu së bashku me Çakon, u pezulluan nga detyra dhe dy zyrtarë të tjerë Artion Duka, drejtori i Forcave Operacionale, Entiol Xhelilaj specialist. Këta të fundit u akuzuan për ‘Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”.

 

Këshilli i Larte i Drejtësisë kërkon me anë të këtij denoncimi të ndjekë penalisht ministrin Saimir Tahiri për akuzat: “fyerje të gjyqtarit” për shkak të detyrës, dhe “kanosje të gjyqtarit”. Por do të jetë Prokuroria qe nëpërmjet provave do të provoje nese ministri ka konsumuar ose jo veper penale./vizion plus/