Nga: ObserverKult/

Pasi kishte qenë në rreth 10 vende të ndryshme dënimi, me rrobat ngjyrë burgu në trup, nisi rrugën e lirisë që do të ishte po aq e vështirë. Askush nuk i fliste. Askush nuk pranonte të punonte me të. As të martohej. Derisa arriti të krijojë familje dhe të vendosej në Rrëshen, në të njëjtën banesë me Musine Kokalarin. Shaban Doçi, njeriu që Musine Kokalari i la amanetin e fundit, tregon jetën e tij, por edhe vuajtjet e shkrimtares në fund të jetës së saj që u shua më 13 gusht 1983.

– Cila është historia e familjes suaj?

– Unë kam lindur në 1 maj të 1933-shit. Rrjedh nga një familje patriotike, nga shtëpitë e para, nga treqind shtëpi që kanë qenë dhe quhemi Doçi, kemi qenë foleja e atyre që vinin e shkonin në Prizren, kur ishte Lidhja e Prizrenit. Xhaxhai i babait tim u vra sepse shoqëronin delegatët te kapidani në atë kohë. Kemi qenë gjithmonë të lidhur me çështjen e patriotizmit, sidomos në lidhje me Kosovën sepse kemi dhe marrëdhënie familjare, një pjesë të fisit tonë e kemi të dalë në Kosovë prej kohësh. Edhe kështu na lidhte tradita patriotike dhe origjina familjare na lidhte me patriotizmin, po vetëm me komunizmin nuk na lidhte gjë. Ne nuk e përqafuam lëvizjen komuniste, sidomos babai e urrente shumë. E kam pasur çoban babain. Baba dhe nana me bagëti rrinin, por kishin 300 copë, jetonin me forcat e veta, nuk kishin nevojë për kurrgjë. Komunizmi nuk i donte këto. Ishte në luftë me të gjithë. Edhe kur erdhi komunizmi, në fakt unë e përqafova në fillim. Isha 16 vjeç. U organizuam. Shkuam vullnetarë për ndërtimin e Shqipërisë, sepse ata thirrën nga familje patriotike, nga familje shqiptare e vërtetë. Më bënë sekretar rinie, mua. Mirëpo faktikisht kam qenë shumë punëtor, për arsye se nëna më ka lënë shumë të vogël, më ka rritur motra. Kam qenë shumë i detyruar me u dhënë pas punës, mirëpo në atë kohë që u krijuan hekurudhat, gjithë ata të deklasuarit erdhën të futeshin te hekurudhat, me zënë diçka sepse vdiqën për bukë dhe më qëlloi që shumica e këtyre njerëzve futeshin në grupin tim nga sinqeriteti… sepse kemi qenë njerëz me të drejtë reale, me patriotizëm: Burrnia kryesore jona ishte besa me të cilën jam rritur edhe jam plakur, edhe sot nuk heq dorë prej saj, biles është krenaria ime. Kjo më dëmtoi shumë sepse i përkrahja, i doja këta njerëz.

Ju pse ju arrestuan?

– Arsyet ishin këto…Unë jam nip në Dibër, te Xhidiku. Me familjen Ndreu kanë miqësi familjare. Pasi u kap grupi i Tiranës, u kap Dali Ndreu dhe u pushkatuan, unë u preka nga kjo punë. Mua nuk më erdhi mirë, se nuk kisha ndonjë miqësi me këta, kishte kushëriri im me ta. U tërhoqa nga të gjitha. Edhe në këtë kohë takoj në Tiranë një, që solli Mehmet Shehu nga Amerika nja tre, nja dy korçarë dhe një gjirokastrit edhe ata më treguan si është Amerika edhe unë tani në moshën që kisha- edhe kam qenë punëtor specialist, i pakapshëm në të gjitha drejtimet- mendova të shkoj jashtë shtetit. Të shkoj, të siguroj të paktën jetën time, jo të shkoj për politikë, po të jetoj, të punoj, të siguroj jetën se këtu nuk kishte më, kishte vdekur gjithçka. Këtu duhet të bëje o si thotë Partia, ose s’kishte rrugë tjetër. Nuk kishte rrugë të mesme. Mirëpo mua në këtë kohë më filloi lufta e Sigurimit të Shtetit. Tani nuk më ndaheshin, këmba-këmbës, por si biografi nuk më kapnin dot. Ai ishte favori që kisha unë. Nuk mund të më drejtoheshin dot për arsye biografie sepse e kisha shumë të pastër.

Si ishte momenti i arrestimit?

– Unë vetëm këtë kisha mendim: të shkoj, të arratisem. Jo të arratisem vetë, por edhe kë njoh, që është i vuajtur, doja ta marr me vete, ta përcjell.

Dhe kur erdhi fundi, u lidha. Isa Mena e dinte këtë punën time, ishim shokë. Edhe vendosëm. “Po si do bëjmë? Do marrim njerëz me vete, apo jo”? Thashë: “Kush është si unë, kam qejf ta marr me vete, por ama të sigurohemi që të paktën këmbët t’i ketë të sigurta, të jetë i zoti i këmbëve, të ecë”. Ky ishte faji im që edhe sot nuk ia fal në jetë. Sepse ai “e kishte humbur”. Vëllai i vdiq në burg. Shtatë veta i janë vrarë në përpjekje kundër Partisë, atij. Ky po sa kishte dalë nga burgu. Edhe ky u lidh me ata që ishin të sëmurë shumë dhe kjo ishte fatkeqësia, u nisëm më 3 maj të vitit ’61 dhe kemi ndenjur 12 ditë maleve sepse kishte ngatërresa. Tri herë e kam ndërruar grupin e arratisjes sepse vinte dorë Sigurimi te njerëzit tanë dhe prapë se prapë, ky nuk hoqi dorë se kishte dhëndrin e vet që ishte me Sigurimin. Atje e patëm defektin. Megjithatë arritëm, sepse e ndërrova prapë rrugën, se e gjitha ishte te kalimi i Drinit. Arritëm në Korab. Në Korab ngelëm pa bukë. Ngelëm dy ditë e dy net në Korab. Në këtë kohë, humbëm drejtimin. Tani, nga mungesa e ushqimit ne pamë dy drita. Ai tha “e para”, unë thashë “e dyta” dhe këtu qe ajo…

 Si ju kapën përfundimisht?

– 12 ditë gjithë Veriu ka qenë kundër nesh. Të organizuar, se u lajmëruan direkt. Fati ishte që gjysma e malit ishte me mjegull, poshtë ishte diell. Ne ishim te gjysma sipër. Edhe unë duke ecur i them Sebastian Xhekës, pjesëtar i grupit: “Kthehu, mos të ndahemi nga Isai”. Ky në vend që të ndalet aty, kthehet, shikon një fëmijë, i kërkon një copë bukë edhe dorëzohet. Ai fëmija ishte Xhelal Martini. Edhe tani vritet Isa Mena. Unë kaloj në krah tjetër, më kapin të nesërmen. Ky Xhelal Martini pastaj, e ka gazeta “Ushtari” dhe “Zëri i Popullit”, që në ’61-shin e dekorojnë, e bëjnë “Hero i Popullit” dhe pastaj e çojnë në Shkollë të Bashkuar, bëhet shef operativi në Tiranë. E kam kërkuar, se nuk ka ndonjë faj, ishte fëmijë. Edhe kështu përfundoi grupi ynë.

Ku ju çuan pas arrestimit?

– Na prunë në Durrës. Në Tiranë, nuk kishte vend se ishte grupi i Teme Sejkos dhe “fati” ishte ky se unë kisha një dajë të Teme Sejkos në grup, kisha Skënder Takën. Se Teme Sejko ishte bash nip i tyre, i shtëpisë së Takajve të Konispolit edhe ata dyshuan që unë jam grupi i Teme Sejkos. Më akuzuan se i njihja. Unë s’e njihja fare këtë punë. Dhe pas tre muajsh që e ndryshuan akt-akuzën, na çojnë në Durrës. Atje na dënoi Gjykata Ushtarake.

Cila ishte akuza?

– Ishte tradhti e lartë ndaj atdheut, për përmbysje të pushtetit.

Sa muaj qëndruat në hetuesi?

– Kam ndenjur tre muaj e gjysmë.

Cili ka qenë hetuesi juaj?

– Hetuesi im ka qenë Harito Çako, kolonel Harito Çako.

Si ju kanë trajtuar në hetuesi?

– Nuk më kanë trajtuar keq të them të drejtën. E vërteta ishte se atij i kishin thënë që isha grupi i Teme Sejkos: unë nuk e dija fare punën e këtij grupit, as kisha idenë sesi është puna. Pasi e pa që nuk ishte fare kjo, atëherë e lanë “tentativë, tradhti e lartë ndaj atdheut dhe bashkëpunim në grup për përmbysjen e pushtetit popullor”.

Sa vjet ju dënuan?

– Pretencën e kam pasur 22 vjet. Për arsye biografie, jam dënuar 15 vjet.

Kush ishte prokurori?

– Po Harito Çakon kam pasur prokuror.

Po gjykatësi?

– Thoma Nino, major Thoma Nino.

Ku ju çuan pasi morët dënimin?

– Në kombinatin e mishit në Tiranë.

Cili vit ishte?

– ’62-shi. Na çuan në burg të Tiranës direkt, pastaj nga burgu i Tiranës na shpërndanë.

Ku i kaluat vitet e tjera të burgut?

– Pas “21 dhjetori”-t në Tiranë që kishte dy kampe ndërtimi atje, më kanë kaluar në Rubik. Në Rubik kishim kinezët atje: kam bërë gjashtë muaj kurs me kinezët për furrnalta, për punimin e furrave. Grup ishim, tre vetë. Prej aty pastaj, në Rreps. Nga Rrepsi, prapë në Laç. Nga Laçi, në Fushë-Krujë, për kaldajat e Fushë-Krujës. Nga Fushë-Kruja në Elbasan. Në fabrikë të çimentos. Nga Elbasani, në Skrofotinë të Vlorës. Na futën në kripore, në kanale. Hapnim kanalet e kripores atje. Nga kriporja na çuan në Pishporo. Edhe komandant kishim Sulejman Manokun, ish-kryetarin e Degës së Punëve të Brendshme të Peshkopisë, xhelat, i cili ka qenë kryetar dege kur jam kapur unë si grup. Meqenëse ai e mori vesh se kush jam unë, Isai ka qenë kryesori, më thirri biles një ditë në zyrë, pas nja dy muajsh që shkuam atje, edhe fjala e parë ishte provokimi: Ti je filani? -Po. -Ti je shoku i Isa Menës? -“Po”, i thashë unë. -Se mos qe politikan Isa Mena“. Ai është i vdekur, ra, iku ai. Më revoltoi jashtë mase. Se unë e kam pasur shok, e mik. Ai ishte i vdekur me të vdekur nuk kapet kush. Thashë: “Nuk kam pretenduar, s’kam thënë që ka qenë politikan Isa Mena. Mos e di veten politikan ti që je komandant kampi”? Edhe kaq ka qenë. Ka dalë nga zyra. Edhe të nesërmen, në 9.00 të mëngjesit, makinë në dispozcion për në Spaç dhe kam bërë 4 vjet në Spaç. Nga Spaçi, në Ballsh. Këtë kohë kishin mbetur tre muaj për t’u liruar. Atje u lirova edhe u ktheva, shkova në Kukës.

Sa vjet burg bëtë gjithsej?

– Bëra 11 vjet, 2 muaj e 7 ditë.

Cili ishte burgu më i keq për ju?

– Burgjet kanë qenë me etapa. Nuk ka qenë me përcaktim burgu. Kur ndodhte diçka jashtë, ndonjë ndodhi ndërkombëtare, kur u prishëm me Rusinë, torturat më të tmerrshme ne i kishim.

Çfarë torturash keni pësuar?

– Atje, ishte presioni që na bëhej, i izolonin në birucë, i dënonin, i rrihnin. Sepse mendonin që po të vijnë ata, këta do të jenë të parët që do jenë në luftë, do lidhen me ta, që s’ishte e vërtetë.

Cila ka qenë ngjarja më e hidhur në burg?

– Është puna se plus censurimit që kishim nga jashtë,  fatkeqësia ishte se kishim ne në kamp njerëz që ishin të lidhur. Ata ishin më të rrezikshëm për të burgosurit politikë. Biles, më kujtohet një rast. Kam pasur një doktor, Nuri Sallakun. Më ngeli peng në jetë. Ai kishte dashur të shkonte, se ishte martuar me një çeke. E kapën në grup, e dënuan. Kishim një dibran, një Lutfi…ka qenë shef i zyrës teknike të Laçit, edhe shkon ky për ta poshtëruar në zyrë. Biles ai e qëllon sa nuk kishte më! Na morën na çuan në Ballsh. Në këtë kohë, i morën, i pushkatuan të vëllanë, edhe para se të pushkatojnë të vëllanë, këtë e morën e vunë në makinë, e përzunë se në Burrel, se ku e çuan Zoti e di, as sot nuk ia di adresën se qysh. Pastaj më kulminante ka qenë për mua, kur vranë Ali Maliqin.

Ke qenë aty?

– Jo, unë kam qenë në Pishporo të Vlorës. Kanë qenë grupazhe kundër njëri-tjetrit, kanë qenë të lidhur me këto punë qysh në prejardhje, po dibranë ishin, por më bëri përshtypje se atë ditë që vranë Ali Maliqin, të nesërmen ka dhënë intervistë Haxhi Lleshi. Gjesti më i ulët! “Mirë” që “u çliruam nga një qelbësirë”… një fjalë shumë të ndyrë për të. E ka pasur bashkëfshatar. Domethënë që ishte një skenar…Kishte 20 ditë që kishte ardhur e bija nga Pogradeci, priste ta merrte xhenazen. Atë e vranë shokët e vet edhe sot e ka për mburrje Azem Shoti. Këto kanë qenë gjeste që na kanë lënë mbresa shumë të ulëta për jetën tonë.

A ju vizitonin të afërmit në burg?

– Unë, vetëm një motër kam pasur. Biles qe një gjest shumë i ulët që bëri operativi. Ishim në Rubik. Më erdhi motra, me gjithë djalin e vogël. Ai djali ishte edhe ezmer dhe nga i ftohti ishte nxirë komplet. Edhe operativi i thotë: “Çfarë të duhet vëllai, shiko si e ke bërë fëmijën”! Ishte nxirë nga i ftohti. “Unë fëmijë bëj tjetër prapë, vëlla një më ka bërë nëna, nuk më bën tjetër”. Filloi të qajë motra. U detyrua, iku operativi.

Si shkuat në shtëpi pasi u liruat?

– Me makinë, nuk të merrte as makina…Me rrobat e burgut, ato që kanë qenë si të them, ngjyrë burgu mo…Me thënë të drejtën nuk pranova të shkoj në fshatin tim. Tri net kam fjetur te ura e Kukësit atje, nën urë.

Ku filluat punë?

– Pastaj më futën në Ndërmarrjen e Ndërtimit, në Kukës, se në fshat shtëpi nuk kisha megjithëse e bëra një kasolle sa për veten time, por… e keqja ishte se dhe njerëzit e mi, po të më shihnin në rrugë, ndërronin rrugën për mos të më dhënë dorën, asnjë dhe asnjeri, me përjashtim të motrës, nuk më vinte në derë, as të më shihte, as…

Ju survejonte Sigurimi i Shtetit gjatë kësaj kohe?

– E kisha ashiqare këtë punë.

Si rodhi jeta juaj më pas?

– Mbas asaj, kërkoja të martohesha. Nuk më linin të martohesha. U fejova me një që kishte babanë në burg, njëzet e gjashtë vjeçe. Ramë plotësisht dakord, për “fat” ajo ishte mbesa e një, Azem Gërxhaliut që ishte nënkryetar rrethi se ata nënkryetarët ishin rekrutuesit e spiunëve edhe e thirri në zyrë, i tha: “Të martohesh me Shaban Doçin, nuk ke vend kurrkund, jo në rrethin e Kukësit, por as në Shqipëri”. Edhe u tërhoq. Pas asaj, rrugë mbas rrugëve, shkova në Rrëshen, gjeta një të internuar. Ishte e bija e Izet Osmanit. Kishte 20 vjet me apel. U fejova me atë. Edhe kësaj i thanë: Ke bërë gabim që e more. Për fat, tani atje fillova punë. Atje gjeta Musine Kokalarin.

U miqësuat me Musine Kokalarin?

– Nuk m’u afrua në fillim se në fakt të burgosurit kanë qenë më të rrezikshëm sesa të tjerët, për njëri-tjetrin, edhe në përgjithësi, se ishin mësuar me këto gjëra. Deri në atë kohë, ato ishin tri femra. Ishte një banesë që rrinim atje me të. Pasi shkova unë, nuk u afrua operativi më atje. As këlyshët e tij, nuk afroheshin shumë atje. E kuptoi Musineja, e pa që nuk merresha me këto punë. U sëmur pastaj. I doli kanceri në gjoks, asaj. Shkoi në Tiranë dy-tri herë, vetëm. I thashë: “Musine mos shko vetëm!”. “Jam e fortë, më tha, kur mos ta ndiej veten, atëherë të them…”. Megjithatë nuk e trajtuan mirë asnjëherë, siç donte ajo. As mjekësia, sepse gjithsekush kishte frikën e vet. U operua. I shkova në Tiranë, vetë, edhe me kunatën. Jo se nuk e donin, por nuk guxonte kush me të ardh’ me të pa me sy. Është e pamundur të mos e donin, por kush guxonte? Sepse e dinin çfarë i priste pas kësaj. Pasi kjo arriti t’i zhvillohej shumë, pas operimit iu hap shumë kanceri edhe u detyrua u shtrua te shtëpia. Para se të shtrohej, më vjen te shtëpia, më thotë: “Do të më japësh fjalën, ta bëjmë me shkrim, që të më varrosësh”. Thashë unë: “Nuk dihet kush vdes përpara, vdes ti, a unë. Vetëm këto kondita nuk dihen”. Tha: “Kështu si them unë, do më japësh fjalën. Do e bësh me shkrim, që të mos kesh pengesë, të vijë, kush të vijë”. Mirë, e la me tastement. La dhe do dorëshkrime që shkruante për dialektet e Veriut, nuk ishte diçka shumë… Tani, ajo ka pasur një roje te dera. Ishte dhomë, paradhomë. Atje kishin futur një sakat që ishte vrarë në minierë. Ai ishte sakat edhe tërë natën bërtiste, se kishte dhimbje. Domethënë, torturë mbi torturë, kjo ka qenë për Musine Kokalarin. Le që ishte e sëmurë, po e kishte te dera se do shihte kush hyn e kush del atje. Ishte derë më derë. Ishte dera e tij, pastaj do hyje te dera tjetër. Do kaloje këtu, pastaj do futeshe te dhoma e Musinesë. Pa kaluar te dhoma e tij, nuk futeshe te dhoma e Musinesë. Po le kjo, po tortura: gjithë natën bërtiste, se kishte dhimbje shumë. Edhe kjo nuk zgjati shumë, megjithëse shkonte e mjekonte gruaja ime, se ka pas mbaruar mjekësinë. Unë kam pasur vetëm një vajzë, e kam edhe sot. E çoja në plazh, në Shëngjin. Edhe e kisha në plazh vajzën, me gjithë gruan. Edhe shkoj i them Musinesë: “Nesër, ne…” Se ishte data 13. Në 14 duhet të shkoja, në 15 duhet të kthehej gruaja. Tha: “Edhe sot, mos shko!” Thashë: “S’kam sesi, nuk e pranojnë në punë më”. Tha: “Ishallah s’më gjen më kur të vish”. Edhe kështu ndodhi në fakt. Se nuk të ndjek fati, ashtu si do ti.

Ju nuk e gjetët gjallë kur u kthyet?

– Sa shkova, atë natë kishte vdekur. Kishim një komshi ne, shkodran. Shkonim, por ata ishin të lidhur me…se shumica, pjesa më e madhe kanë qenë të lidhur me këto punë. Ka qenë një Alldizi, Alldizi. Shkon atje, rri deri sa vdes, lajmëron Degën e Brendshme, edhe shkon Dega e Brendshme, marrin ato qitapet e Musinesë, me gjithë dosjen që kishte dhe atë testamentin, edhe për mua, për varrimin. E morën, e mbyllën xhenazen në qese edhe dalin, ikin. Nesër në mëngjes kur kthehem unë te stacioni i hekurudhës në Laç, atje dëgjoj se ka vdekur Musineja. Shkova te shtëpia. Pa shkuar te shtëpia fare, shkoj drejt te dhoma e Musinesë: “Kush i ka çelësat?”. Thonë: “I ka marrë Gjelë Mandreja”. Ka qenë oficer i Degës së Brendshme, ishte kryetar i Këshillit të Rrethit Rrëshen. I shkova në zyrë: “Më jep çelësat, të shkoj të hap xhenazen”. “E kemi parë në testament, e ke të shkruar atje, por ne pa bërë një dokument se përgjigjesh ti, nuk ta japim”. “Për çdo gjë, thashë, përgjigjem unë. Vetëm më jep çelësin se do thyej derën, po s’më dhe çelësin. Do varros xhenazen”. E lëshova atë deklaratën që kërkonte ai: “Për gjithçka përgjigjem unë”. Edhe shkova e mora xhenazen, e pastruam, e rregulluam, e bëmë gati edhe shkova në komunale që të hapnin varrin, ta varrosim. Asnjë nga komunalja nuk pranonte të hapte varr për Musine Kokalarin, absolutisht! As makinë nuk më jepnin…Këtë fakt ma dëgjoi dhëndri i Beqir Ballukut, një Gjergj Gjergo, edhe një kosovar që punonin në komunale, një Ymer Llugaliu, ka qenë dhe në burg ai, ka qenë shumë i mirë. Thonë: Vimë ne, e hapim varrin. Edhe i morën ata, hapin varrin. Shkova për makinë, nuk gjenim dot, kam marrë një reportabël, me zhavorr mbushur komplet edhe e kam vënë xhenazen përmbi zhavorr dhe e kemi varrosur vetëm ne: unë me gruan, me kunatën. Të gjitha i kam paguar unë, i kam me shkrim, me dokumente. Të gjitha i kam te shtëpia edhe sot, edhe arkivin e Musinesë. Të gjithin e kam unë dhe sot. S’kam vënë dorë se janë të sajat, s’janë të miat.

Patët pasoja?

– Mbas kësaj mua më prenë 5 vjet internim se e varrosa Musinenë. Më çuan në Kurbnesh. Më prenë internim pse e varrosa. Asgjë s’më lidhte me Musine Kokalarin, ajo ishte gjirokastrite, unë kuksian. Ana politike, asgjë. Ishte vetëm kjo: Pse? Na caktuan pastaj për Kurbnesh: dhëndrin e Beqir Ballukut, atë të ministrit që u pushkatua, Llambi Ziçishtit, atë Theodhosin. Na bënë një banesë, do na bashkonin në Kurbnesh të gjithë. Edhe thurrën një vend me tela me gjemba, përtej urës së Fanit. Ishim 16 vetë. Në rast se do vinte imperializmi, ose social-imperializmi që quhej në atë kohë, ne të pushkatoheshim atje, mos të lidheshim me të huajt. Ata do lidheshin vetë me të huajt, minutën e parë, se ne ata që ishim, jemi, atëherë edhe sot.

Shkuat në Kurbnesh?

– Shkova, bëra banesën deri në fund, pastaj u tërhoqën, se ishte fundi. Ishte ’86-a, ’87-a dhe u tërhoqën këto vendime.

Si e pritët ardhjen e demokracisë?

– Në fakt, me thënë të vërtetën, nuk e kam pritur me ashtu…se ai që vuri kandidaturë me Partinë Demokratike ka qenë drejtori i ndërmarrjes së Fierzës, Emin Musliu. Se pata shkuar, kur u lirova, atje se ishte puna më e lehtë për mua, të merrja ndonjë lekë. Edhe më thirri në zyrë: “Për 24 orë të largohesh prej këtu, ndryshe ke hekurat”. Edhe erdhi për deputet në Durrës, në lagjen time. Jam habitur se po këta…Që të përmbysej sistemi me një kuadër komunistësh të përjetshëm, është e pamundur. Po ishallah, bën vaki! Çfarë s’ndodh!