Nga Ardit Rada

Me Kodin Penal të çfarëdolloj regjimi e kohe, Sali Berisha do të akuzohej së paku për fshehje të provave dhe moskallëzim krimi. Nuk po shkoj tek emocionet e shumëkujt që e radhit atë si autor, bashkëpunëtor, urdhërues të Gërdecit dhe 21 Janarit. Kush s’e mban mend, Berisha i I-rë ka instaluar në Shqipëri shtetin më policor që është njohur ndonjëherë. Pyesni ata që e kanë hequr në kurriz për të kuptuar se as Policia dhe Sigurimi i Kadri Hazbiut nuk të thyente brinjët në mes të rrugës si Policia e Agim Shehut dhe SHIK-u i Bashkim Gazidedes. Këtë të fundit, nëse Enveri e çoi në plumb Kadriun, Sali Berisha e gradoi në qeverisjen e tij pas 2005.

Sot, që Sali Berisha ka zgjedhur t’i përgjigjet SHBA-ve në kuadër të luftës së tij për të vënë ‘nderin’ e tij në vend, pyetja e parë është: Cili nder po i cenohet Berishës dhe familjes së tij? I paskrupullt në ato që deklaron publikisht, Sali Berisha është shprehur vetëm pak javë më parë se në 30 vite politikë e pushtet, pasuria e tij është shtuar me vetëm 36 metra katrorë apartament. Ndërkohë, që i biri për të cilin nuk dimë asgjë se ku ka punuar e punon përveç emrave të grave që ndërron, jeton në Rolling Hills. Ky nuk është thashethem, por e firmosur nga dora e tij si adresë e tij, në padinë që i ka bërë Taulant Ballës.

 Sali Berishës i janë dhënë të gjitha mundësitë në këtë vend që me ligj apo pa ligj të qeverisë përtej të imagjinueshmes pas asaj që i bëri vendit në 1997. Të pasurojë familjen e tij dhe aleatët, jo nga Gërdeci siç themi rëndom, por që nga privatizimet e ish-aseteve të Ushtrisë, zaptimeve, firmave piramidale dhe plot të tjera. Nëse do të ishte normal, do të ikte si bashkohësi i tij Fatos Nano dhe si i dhënë pas teknologjisë, të shkruante një libër. Por jo, ai zgjodhi derisa u degjenerua në nivelin e ‘Qytetarit Dixhital’ dhe derisa e braktisi dhe ajo vajza që i mbante dosjen.

Imagjinoni një moment sikur vendimi i SHBA për ta shpallur non-grata familjarisht të merrej kur qeveriste. Nuk do të kishim një gjyq hipotetik në Paris kundër Sekretarit të Shtetit Amerikan, por një shtet shqiptar kundër amerikanëve. Pikërisht atë që e bëri në 1997 teksa Gazidede fajësonte shërbimet perëndimore si organizatore të rebelimit dhe mazallah s’e pranonin që njerëzia kishte humbur shtëpitë për mendt e Saliut.

Falë Zotit që SHBA nuk e shpalli ‘non grata’ në qeverisjen e tij 2005-2013, se ishte kail ta radhiste vendin në krah të Iranit veç të mbronte Rolling Hillsin. Lajmi i keq është, që është shqiptar dhe na turpëron në faqet e para të gazetave ndërkombëtare. Lajmi i mirë është që është “kalë i ngordhur” e s’ka fuqi as të pjerdhë. E jo më t’i hedhë shkelma amerikanëve!