Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, do të jenë në Shqipëri në datat 20 dhe 21 dhjetor, në kuadër të samitit për nismën ‘Open Balkan’.

Lajmi u bë me dije nga mediat serbe, ndërsa në samitin që do të mbahet në Tiranë pritet të nënshkruhet një Memorandum Mirëkuptimi për lejet e punës. Kjo marrëveshje do të nënkuptonte që një leje pune e lëshuar në cilindo nga këto tre vende është e vlefshme për të gjithë anëtarët e nismës, Serbi, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri.

Kujtojmë se takimi i fundit në kuadër të nismës ‘Open Balkan’ u mbajt më 4 nëntor në Beogradku liderët konfirmuan edhe njëherë premtimin se nuk do të ketë më asnjë pengesë në kufi për njerëzit e tyre dhe se ata do të mund të lëvizin lirisht në të tre vendet. Për 3 drejtuesit e 3 vendeve “Open Balkan” është një lëvizje që ka vetëm një qëllim, përmirësimin e jetës për qytetarët.

Nisma për bashkëpunim rajonal është përkrahur edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe BE. Megjithatë kësaj nisme s’po i bashkohet Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina. Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti, mendon se iniciativa e “mini-Shengenit” është nismë pa vizion për rajonin.