E premtuar nga vetë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gati një vit më parë, marrëveshja tashmë u konkretizua.

Kështu, Satellogic do të përshpejtojë pjesëmarrjen e Shqipërisë në Ekonominë e Re të Hapësirës.

 Edhe pse shpesh janë hedhur dyshime nga opozita, por jo vetëm, nëse Shqipëria është gati për një hap të tillë, kompania amerikane Satellogic, në një prononcim për Albanian Post ka theksuar se infrastruktura e vendit është gati për të marrë këtë shërbim.

“Po, me Konstelacionin e Satellogic, Shqipëria do të përgatitet me aftësitë reaguese ndaj imazheve satelitore për të mbuluar të gjithë territorin”, thotë për AP, përfaqësuesi i kompanisë, Andrew Kelly.

Sipas tij, me infrastrukturën cloud të Satellogic, Shqipëria do të ketë akses në detyra të përgjegjshme, analiza dhe shpërndarje të njohurive dhe informacionit kritik të ministri të ndryshme në vend dhe të ndërtojnë kapacitetet e ekonomisë shqiptare të hapësirës.

Me këtë marrëveshje Shqipëria do të jetë pararojë edhe mes shumë vendeve të NATO-s për teknologjinë e sovranitetit ajror.

Kelly shpjegon se me aksesin prioritar të dy satelitët: “Albania-1” dhe “Albania-2″, Shqipëria mund të përshpejtojë përfshirjen në komunitetin hapësinor.

Sipas tij, Qeveria shqiptare do të shfrytëzojë fuqinë e imazheve satelitore me rezolucion të lartë për akses dhe ndërgjegjësim në situata të ndryshme.

“Satellogic do t’i mundësojë Shqipërisë të adresojë çështjet që ajo i konsideron urgjente, si menaxhimi i bujqësisë, kulturat e paligjshme, aktiviteti i ndërtimit të paligjshëm, menaxhimi i trafikut, monitorimi i zjarreve, siguria kufitare dhe monitorimi i mjedisit”, thotë Kelly.

Çfarë parashikon kontrata?

Kontrata e firmosur mes palëve ka vlerën e gjashtë milionë dollarëve.

Vetë, Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, deklaroi se Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile do të marrë informacion mbi rrëshqitjet e tokës, lëvizjen e strukturave të rëndësisë së veçantë si: diga, ura, nivelin e ujit në liqene, basene, lumenj, numrin e godinave të shembura, sipërfaqen e zonave të përmbytura, sipërfaqen e zonave të djegura, densitetin e popullsisë e shumë të tjera.

Ajo po ashtu, do të marrë informacion mbi peshkimin detar, kontrollin e ujërave ku në raste që konstatohen shkelje të kërkesave ligjore do të marrë masa administrative nga sektori i inspektimit dhe kontrolli i peshkimit

Do të monitorohet rrjeti i kanaleve ujitëse, kulluese, kanalet e ujërave specifikisht në situata me reshje intensive, në mënyrë që të analizohet sipërfaqja e prekur në tokat bujqësore apo në zonat e banuara.

Në fushën e turizmit – e rëndësishme për ekonominë shqiptare – ajo do të shërbejë për të dhënë informacion për cilësinë e ujërave bregdetare me synim promovimin e zonës bregdetare./AP/