Prej katër ditësh,ishulli i Sazanit është në betejë me flakët dhe tashmë qeveria shqiptare, në vështirësi për të shuar zjarrin me mjete rrethanore ka vendosur që të ndërhyjë nga ajri. Për këtë i ka ardhur në ndihmë Greqia që i është përgjigjur kërkesës për të sjellë avion tip Canadair CL 415, i njohur ndryshe si bombarduesi i ujit për shuarjen e zjarrit në Sazan. Kështu bën me dije Ministria e Mbrojtjes duke shtuar se  eskpertët  vlerësuan se është e nevojshme ndërhyrja nga ajri, por thelbësore mbetet puna e forcave në terren.

Menjëherë sapo mbërriti në Shqipëri, avioni Canadair u vu në lëvizje. Report Tv ka siguruar videon kur ulet në det për tu mbushur në ujë dhe më pas ngrihet në ajër për të shuar vatrat e zjarrit që janë aktive prej 4 ditësh në ishullin e Sazanit.

“Për këtë qëllim një avion tip Canadair CL 415 që vjen nga Greqia aktivizohet sot, herët në mëngjes për shuarjen nga ajri të zjarrit në ishullin e Sazanit. Avioni Canadair CL 415 do të hyje në operacion për shuarjen e zjarrit nga ajri si mbështetje e Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të Bashkimit Europian, Emergency Response Coordination Centre (ERCC), pas kërkesës së bërë nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile. Greqia iu përgjigj menjëherë pozitivisht kërkesës së Shqipërisë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.

Pavarësisht ndërhyrjes nga ajri, puna në terren, Ministria e Mbrojtjes thotë se krijimi i brezit të shpyllëzimit mbeten thelbësore për izolimin total të zjarrit në një zonë të ish-repartit ushtarak. Avioni Canadair CL-415 është projektuar posaçërisht për shuarjen e zjarrit nga ajri, por mund të kryejë edhe role të tjera të ndryshme, të tilla si kërkim-shpëtimi dhe transporti. Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Greqi, pas një sërë kontaktesh falenderoi autoritetet atje për përgjigjen në kohë ndaj Shqipërisë.