Inspektoriati Shtetëror i Mjedisit, njoftoi se në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, ka sekuestruar ditën e djeshme dy arinj që mbaheshin në robëri në qytetin e Sarandës, ndërsa shtetasi që i posedonte, u arrestua.
Sipas këtij njoftimi, “arinjtë e vegjël, ngjyrë të murrme me moshë rreth 5 muaj mbaheshin në kushte tepër të mjerueshme për qëllime përfitimi nëpër plazhet e bregdetit të jugut”.
Dy arinjtë e vegjël, u morën në dorëzim nga inspektorët e sektorit operacional ISHMP Qendër dhe ditën e sotme iu dorëzuan Bashkisë së Tiranës, Drejtorisë së Parqeve dhe të Rekreacionit, për t’i vendosur tek Kopshti Zoologjik.
Kreu i kësaj drejtorie, Blendi Gonxhe, u shpreh se arinjtë prej ditës së sotme do të jenë në një kujdes tejet të veçantë. “Fillimisht do të kalojnë në karantinë për tu kontrolluar dhe vaksinuar nën kujdesin e veterinerëve dhe specialistëve”.