Finalizohet operacionin policor “TRASHËGIMIA”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e mashtrimit kompjuterik.

Operacioni nga Njësia për Hetimin e  Krimeve Kibernetike në Drejtorinë Hetimore në Departamentin  e Policisë Kriminale  në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë e  Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Vihet në pranga një shtetase.

Njësia për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Drejtorinë Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, pas kallëzimit të marrë nga një bankë e nivelit të dytë në Republikën e Shqipërisë, për veprën penale “Mashtrim kompjuterik”,  ka zhvilluar hetime të shpejta, duke qenë se kishte dyshime të arsyeshme se disa shtetas kryenin mashtrime nëpërmjet internetit.

Pas kryerjes së hetimeve, në bashkëpunim me Prokurorinë e Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor Tiranë, Njësia për Hetimin e Krimeve Kibernetike, ka rezultuar se një shtetase shqiptare kishte vendosur në dispozicion të disa shtetasve të huaj, llogarinë e saj bankare, me qëllim mashtrimin e shtetasve shqiptarë në hapësirën virtuale. Për këtë qëllim, kjo shtetase ka dërguar dhe kartën e saj bankare, së bashku me kodin përkatës, jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, me qëllim tërheqjen e këtyre shumave monetare nga këta shtetas. Kjo shtetase përfitonte 10% të shumës monetare për veprimet që kryente së bashku me këta shtetas. Nga verifikimet e kryera deri më tani rezultojnë se janë disa shtetas shqiptarë të dëmtuar, të cilët janë identifikuar plotësisht nga ana jonë. Po ashtu ekzistojnë dyshimet e arsyeshme që deri më tani ky grup ka arritur të dëmtojë shtetas shqiptarë dhe të huaj në shuma të ndryshme në një total prej 100.000 eurosh, por që nuk përjashtohet fakti që kjo shumë të ndryshojë me vazhdimin e mëtejshëm të hetimeve.

Njësia për Hetimi e Krimeve Kibernetike ka dokumentuar rastin në lidhje me shtetasen V. LL, 30 vjeçe, banuese në Tiranë, për kryerjen e veprës penale “Mashtrimi kompjuterik”.

Për këtë shtetase, Prokuroria e Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor Tiranë ka lëshuar urdhrin e ndalimit për këtë shtetase, për veprën penale“Mashtrim kompjuterik”.

Vijon puna në bashkëpunim me parterët, për identifikimin e plotë dhe vendosjen përpara përgjegjësisë penale edhe të 3 shtetasve të huaj, të cilët janë bashkëpunëtorë në këtë skemë kriminale.

Për sa më sipër, Njësia e Hetimit Kibernetik ka identifikuar plotësisht skemën e përdorur, e cila njihet dhe si “Mashtrimi i trashëgimisë”.

Me qëllim parandalimin e rasteve të ngjashme dhe sqarimin e qytetarëve që mund të kenë rënë viktima të këtij mashtrimi, Njësia e Hetimit Kibernetik dëshiron të sqarojë si më poshtë:

“Mashtrimi i trashëgimisë” është kur thuhet se dikush shumë i pasur nuk është më, dhe,  se ju jeni ai që mund të marrë një trashëgimi të madhe.

Një person që pretendon të jetë avokat nga jashtë shtetit ose pretendon të jetë ndonjë nëpunës tjetër ligjor ju dërgon një mesazh nëpërmjet postës elektronike (e-mail), një mesazh në rrjete sociale ose një letër. Ata ju tregojnë se një person i pasur nuk është më dhe ka lënë pas një shumë të madhe parash duke përmendur dhe emrin tuaj.

Avokati është duke administruar trashëgiminë dhe nuk ka qenë në gjendje të identifikojë asnjë nga të afërmit e personit që nuk është më. Si rezultat, paratë do të shkojnë për qeverinë ose nuk mund të tërhiqen. Avokati sugjeron që, ai mund t’ju ndihmojë që ju të tërhiqni trashëgiminë dhe pastaj mund të ndani paratë midis jush.

Mashtruesit do të theksojnë nevojën për fshehtësi dhe do t’ju paralajmërojnë të mos i tregoni askujt tjetër në lidhje me marrëveshjen. Për t’ju nxituar në kryerjen e veprimeve dhe në të njëjtën kohë të ndërmerrni një vendim të nxituar, ata gjithashtu do të theksojnë nevojën për të vepruar shpejt duke vendosur dhe afate në raste të caktuara.

Sidoqoftë, nuk ka asnjë trashëgimi dhe personi që ju kontakton nuk është avokat ose nëpunës ligjor, ai thjesht po krijon një terren për të arritur qëllimin e tij, pra të mashtrojë personin që po komunikon.

Nëse ju i përgjigjeni mashtruesve, ata do t’ju kërkojnë të paguani tarifa të ndryshme, si për shembull: taksat, tarifat ligjore, tarifat bankare etj, në mënyrë që ata të mund të lirojnë trashëgiminë ekzistuese, me qëllim që ju ta zotëroni atë.

Sa herë që bëni një pagesë, mashtruesit do të nxjerrin arsye pas arsyeje se përse trashëgimia nuk mund të paguhet nëse ju nuk do të bëni një pagesë tjetër. Nëse kërkoni që këto pagesa të merren nga trashëgimia që ju po përfitoni, ata do t’ju japin gjithashtu arsye pse tarifat nuk mund të merren nga trashëgimia juaj dhe pse duhet të paguhen paraprakisht.

Nëse hezitoni të paguani një tarifë ose deklaroni se nuk mund ta përballoni atë, mashtruesit do t’ju bëjnë presion duke ju kujtuar se sa afër jeni për të marrë një shumë parash shumë më të madhe se tarifat që keni dorëzuar tashmë, dhe nga sa keni paguar tashmë.

Mashtruesit mund të kërkojnë gjithashtu detajet tuaja të bankës në mënyrë që ata të mund të paguajnë trashëgiminë direkt në llogarinë tuaj bankare. Por, nëse dorëzoni detajet e bankës tuaj, mashtruesit mund t’i përdorin ato për qëllime të tjera kriminale.

A jeni viktimë e mashtrimit të trashëgimisë?

• A keni marrë një mesazh në postën tuaj elektronike (e-mail), mesazh në rrjete sociale ose letër që ju informon se dikush me të cilin mund të keni lidhje nuk është më dhe ai nuk ka lënë testament ose ka lënë dhe jeni ju që mund ta trashëgoni?

• A keni paguar tarifa për persona që ofrojnë t’ju japin një raport pasurie që përfshin informacion mbi trashëgiminë dhe mënyrën se si mund ta kërkoni atë?

Çfarë duhet të bëni nëse jeni viktimë e mashtrimit të trashëgimisë?

•          Raportojeni tek Njësia e Hetimit Kibernetik në Policinë e Shtetit;

•          Ndërprisni të gjitha kontaktet e mëtejshme me mashtruesit;

•          Mos u dërgoni më para;

•          Mos u jepni detajet e bankës suaj;

•          Nëse tashmë ju keni dhënë mashtruesve detajet e llogarisë suaj bankare, njoftoni menjëherë bankën tuaj;

•          Nëse merrni ndonjë kërcënim nga mashtruesit pasi të keni ndaluar bashkëpunimin me ta, njoftoni menjëherë policinë;

•          Jini të vetëdijshëm se tani ka të ngjarë të jeni një shënjestër e mashtrimeve të tjera. Mashtruesit shpesh ndajnë detaje me mashtrues të tjerë për njerëzit që kanë shenjëstruar ose që u kanë marrë me sukses shuma monetare, dhe ata përdorin identitete të ndryshme për të kryer mashtrime të mëtejshme;

•          Njerëzit që kanë rënë tashmë viktima të mashtruesve janë veçanërisht të prekshëm nga mashtrimet për gjetjen e mashtruesve. Kjo është kur mashtruesit kontaktojnë njerëzit që tashmë kanë humbur para përmes mashtrimit dhe pretendojnë të jenë punonjës policie ose avokatë. Ata do ta këshillojnë viktimën se mund t’i ndihmojnë ata të rimarrin paratë e humbura dhe për këtë do të kërkojnë një tarifë.

Si të mbroni veten nga mashtrimi i trashëgimisë?

• Megjithëse ka kompani të ligjshme që sigurojnë jetesën duke gjurmuar trashëgimtarë, ata nuk e bëjnë atë në këtë mënyrë. Nëse ju kërkohet një tarifë, ka shumë të ngjarë të jetë e rreme.

• Letrat/dokumentet e siguruara apo bisedat me mashtruesit në përgjithësi janë shkruar ose formulohen keq. Kini kujdes për gabime drejtshkrimore, gramatikë të dobët apo materiale të cilat nuk kanë kuptim në gjuhën shqipe.

• Kini kujdes nëse ju kërkohet të kontaktoni një adresë të postës elektronike si @Yahoo, @Hotmail apo të tjera të ngjashme. Si rregull, firmat e ligjshme nuk i përdorin ato.

• Një firmë e ligjshme nuk ka aspak të ngjarë të japë një trashëgimi tek dikush i cili nuk ka të drejtë për të. Çdo kërkesë për marrjen e një pagese tregon se dikush ka qëllime aspak të mira.

• Mashtruesit shpesh pretendojnë se personi i cili nuk është më, ishte viktimë e një incidenti të reklamuar mirë, siç mund të jetë një përplasje aeroplani. Për të shtuar besueshmërinë, ata mund të përdorin edhe identitetin e dikujt që me të vërtetë ka humbur jetën në këtë incident.

KUJDES ! Rastet mund të jenë totalisht të ndryshme nga sa më sipër, por të gjitha do të kenë të përbashkët fitimin e një trashëgimie dhe pagesën për kryerjen e procedurave të ndryshme administrative dhe ligjore.

Nëse është kryer një mashtrim i tillë, raportojeni atë tek Njësia e Hetimit Kibernetik në adresën e postës elektronike [email protected], ose në numrin e telefonit 0694155552 në programet e komunikimit social si WhatsApp, Viber etj.