E përzgjedhur nga Akademia Suedeze, e një grup prej 18 anëtarësh, mes të cilëve, shkrimtarë, gjuhëtarë, studiues të letërsisë historianë e juristë të shquar,    shkrimtares iu dha ky vlerësim në moshën 84-vjeçare “për kurajën e veçantë me të cilën trajtoi rrënjët e kufizimet kolektive në kujtesën personale”. Autore e disa veprash nga “Dashuri të zbrazura me të cilën debutoi në vitin 1974”, “Ngjarja”, “Vajza tjetër”. Në shqip është edhe vepra e saj “Pasion i thjeshtë”, Ernoux njihet edhe si aktiviste e mësuese.

Prej vitesh Nobeli i Letërsisë, mban në ankth edhe shqiptarët. Vendin tonë me këtë çmim për afro tri dekada e ka lidhur emri i Ismail Kadaresë. I propozuar si kandidat prej 25 vitesh nga Akademia Shqiptare e Shkencave, Kadare ka qenë edhe propozim i Akademia e Shkencave Moralo-Politike Franceze e në disa vite si edhe propozim i Akademisë së Kosovës.

Thuajse çdo vit, mediat ndërkombëtare e kanë lakuar ndër fituesit. Njëra prej tyre kësaj here India.com e renditi të katërtin në listë duke shkruar ndër të tjera se “Veprat e tij, përzjerje mjeshtërore e mitit e folklorit, portrete të mendjeve moderne e realiteteve lokale, përpos humorit pikant do të pushtojnë botën”.

Sa i përket nominimeve, Akademia Suedeze këtë vit vendosi si kusht për çdo vend propozimin e katër kandidaturave, ndryshe propozimi zhvlerësohej.  Të kujdesshëm për të mos shkelur kodin e komunikimit, Report tv, mësoi nga Akademia e Shkencave pas shpalljes së Nobelit, se tri kandidaturat e tjera të propozuara në janar, janë: shkrimtari Fatos Kongoli, Luan Starova nga Maqedonia e Veriut, i ndarë nga jeta në 24 shkurt të këtij viti, dhe arbëreshi Karmell Kandreva, i shuar në vitin 1982.