Frrok Çupi

Sa dola, një taksi e verdhë me portretin e madh të Donald Trump, m’u shfaq aty pranë. Qe mëngjes, mëngjesi i datës 27, dita pas Debatit të Madh. Fotografia e kandidatit Republikan dhe flamuri amerikan ishin vendosur kujdesshëm, por edhe madhërishëm në plot xhamin e pasmë të makinës…

Gjithë dita kaloi me “Debatin”; debati në bar, debati në taksi, debati sa takoheshin dy a tre miq. Natën e 26 shtatorit, kur numëroheshin veç edhe 43 ditë nga votimet presidenciale në Amerikë, ndiheshin më shumë zëra se kurrë; a në rrugë ku kishte mbetur ndonjë televizor ndezur (ndoshta në dyqanet e basteve) , a nëpër apartamente. Këtu në kontinentin tonë qëlloi të ishte ora 3 e mëngjesit, një orë e vështirë për të qenë zgjuar, por ndodhi që shumë njerëz pritën Debatin mes dy kandidatëve për president në Shtetet e Bashkuara.

Të nesërmen, e njëjta gjë. Është folur aq shumë e aq hollësisht për zgjedhjet presidenciale në Amerikë, ndoshta si të ishte epoka e protektoratit të shteteve mbi shtetet. Në agjencitë e mëdha të lajmeve të botës, thuajse e njëjta atrmosferë: Të dhëna mbi Debatin, çfarë u tha e çfarë nuk u tha, kush fitoi e kush humbi, sa i anshëm ishte gazetari moderator, çfarë pritet të ndodhë më 9 tetor në Debatine Dytë?…

Shqipëria dhe shqiptarët janë shënuar nga vëzhguesit si “pro-amerikanë” të dashuruar. Po kjo herë më duket se kishte jo veç ngjyra falënderuese ndaj Amerikës për “çfarë ka bërë ndaj kombit shqiptar” në histori. Kësaj here kishte edhe nota të tjera, të gjalla, veç “falënderimit” ajror. Tani Amerika është më pranë jetës së individit, jo thjesht të kombit. “Patriotët” kombëtarë nuk e dominojnë dot më lidhjen me Amerikën.  Nëse shoferi i taksisë thotë të vërteta të afërta mbi fushatën presidenciale, kjo ka kuptimin e afërsisë së gjësë më të vogël, që është individi, me supershtetin.

Kanë ndodhur, padyshim, gjëra që e kanë bërë këtë lidhje kështu.

Po çfarë ka ndodhur?

1.

Ka ndodhur animi i peshës, nga Europë- Amerikë, në një Amerikë më të “ngarkuar”. N jerëzit këtu besojnë më shumë Amerikën. Bashkimi Europian, i ndodhur në vështirësi të vetvetes, ka zbehur interesin, jo veç për anëtarët, por edhe për aspirantët si Shqipëria. BE nuk ndihet jo veç për të mirën e shtetit të vogël, por as për për goditjet që merr vetë nga shteti i vogël. A po i ndalon BE avionet që ngarkohen me drogë në Shqipëri dhe i drejtohen “kullave binjake” të Europës?! Jo. Me dhjetëra tonë drogë në javë niset nga Shqipëria dhe thithet nga Europa. Njerëzit, në “subcoscio”, mendojnë se “ndalimi i drogës paska qenë hipokrizi e BE”. A nuk kanë të drejtë?!

Ka anuar barra e besimit për në kontinentin tjetër, në Shtetet e Bashkuara. Njerëzit e shtresës shpresojnë se Amerika mund t’u japë edhe drejtësi të pastër. Inshallah!- thonë shumica, edhe pse nuk besojnë, kushedi çfarë, në Islamizëm. Zgjedhjet në Amerikë i shikojnë si shpresë se pushteti që vjen do të jetë një pushtet i ri që do të na sjellë drejtësinë e mirë.

2.

Ka ndodhur “afrimi” me Shtetet e Bashkuara. “Afrimi” do të thotë ‘të njoh e më njeh më mirë”. Dikur Amerika ishte një fantazim; komunizmi e bëri fantazmë djalli dhe demokracia-fantazmë engjëllore. Por as njëra dhe as tjetra nuk e lanë individin që të shikojë nga afër “njeriun” e afërt. Tani individi këtu njeh mekanizmin, (aq sa e njeh) se si funksionon e drejta në Amerikë. Fushata presidenciale e kësaj here e bëri njeriun ta shikojë Amerikën në situatën më të ndryshme prej gjithë historisë: Një  njeri i ardhur nga jashtë- politika, Trump,  ka fituar dhe po fiton kredite shumë të larta, i është afruar Shtëpisë së Bardhë. Si arriti? Duke folur gjuhën e thjeshtë dhe nganjëherë të pakontrolluar, atë që njeriu e thotë me vete përditë.  Në anën tjetër një grua kandidate, që nuk mund të thuhet se është e para amerikane që kandidon; vetë kjo ka qenë edhe një herë kandidate. Por një grua që i ka thënë vetes “bëhem presidente si burri im, dhe pikë!”, dhe i është afruar Shtëpisë. Njëri nga kandidatët flet si njeriu popull, tjetra flet si njeriu i zyrës; por të dy në garë të afërt. Kjo i duket interesante njeriut këtu. Aq më tepër që njeriu këtu ka perceptuar se edhe në Amerikë ka gabime; deri tani Amerika ishte “në qiell”, pa asnjë të metë. Për shembull kuptuan se disa media edhe aty “u anuan” dhe bllokuan informacionin për njërin kandidat. Moderatori televiziv i Debatit, Lester Holt, shtroi qilimin për Hillary-në; ndërsa kundërshtarin e kufizoi. Lajmet vijnë nga vetë mediat amerikane. Po a nuk duket njerëzore? A nuk duket afër nesh?! Prandaj ndenjën njerëzit zgjuar natën e Debatit.

3.

Ka ndodhur, siç edhe dikur, puna e pushtetit. Dikur ishte epoka kur “hyri komunizmi” dhe njerëzit besonin se të keqes “do t’i bëjë derman” Amerika, dmth., do ta shporrte shpejt…

Kësaj here njerëzit këtu janë lodhur me qeverinë. Qeveria i mbyti në gënjeshtra, në arrogancë, në vjedhje, në krim dhe në drogë. Por fitimet e mëdha e çimentojnë pushtetin arrogant. Kësaj here këtu ka shpresa më konkrete ndaj Amerikës. Në gjithë vendin lëviz fantazma “released” nga vetë kryeministri se “sikur të fitojë Trampi, ne shpëtojmë nga kjo qeveri”. Sepse kryeministri nuk është as politikan dhe as inteligjent; i lëshon fjalët si… lopa, dhe njerëzit dinë t’i kapin. Kryeministri mbajti fjalime e tha se “po fitoi Tramp, nuk kam punë me Amerikën”. Me njerëzit pa mend, njeriu ka edhe shpresë. Shpresa lindi këtu ku kryeministri tha këtë budallëk. Po njerëzit e kuptojnë se “po erdhi Tramp, na e qëroi këtë të keqe”. Naiviteti është njerëzor

Kështu lidhet individi i vogël, edhe shteti i vogël, me supershtetin: Në detaje konkrete, në dobësi e në të njerëzishmen. Prandaj amerikanizimi këtu është në kulm tani.