Shqipëria prish marrëdhëniet diplomatike me Iranin! Kryeministri Edi Rama ka bënë me dije se ka prova të pakundërshtueshme se Irani ka financuar sulmin kibernetik ndaj shërbimeve online, gjë që nga ndikuar në marrjen e vendimit për të prishur marrëdhëniet zyrtare me këtë shtet, teksa iu është dhënë urdhër ambasadorit dhe të gjithë stafit të ambasadës iraniane të largohen nga Shqipëria brenda 24 orëve.

 Kreu i qeverisë në një videomesazh nga Kryeministria tha se pas hetimeve të bëra në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtar, është arritur në përfundimin se Irani ka angazhuar 4 grupe për sulmin kibernetik, ndër to edhe një ndër grupet më famëkeqe të terrorizmit kibernetik ndërkombëtar.
“Në bashkëpunim me agjenci të specializuara partnere të anti-terrorit digjital, të cilat sollën në Tiranë skuadrat e tyre, u arrit të zbulohej fillimisht, pa asnjë hije dyshimi, se sulmi i 15 korrikut mbi Shqipërinë nuk ishte një operacion individësh apo grupesh të pavarura në botën e krimit të organizuar kibernetik, por një agresion shtetëror. Hetimi i thelluar na vuri në dispozicion prova të pakundërshtueshme, se agresioni kibernetik ndaj vendit tonë është orkestruar dhe sponsorizuar nga Republika Islamike e Iranit, e cila ka angazhuar katër grupe për sulmin ndaj Shqipërisë. Ndër to edhe një ndër grupet më famëkeqe të terrorizmit kibernetik ndërkombëtar, autor apo bashkëautor i sulmeve të mëparshme kibernetike mbi Izraelin, Arabinë Saudite, Jordaninë, Emiratet e Bashkuara, Kuvajtin dhe Qipron”, tha Rama.

Ky vendim i është bërë i ditur me notë zyrtare Ambasadës së Republikës Islamike të Iranit, që duhet të largohen nga vendi ynë brenda 24 orëve të fundit, teksa për këtë masë ekstreme, siç e ka quajtur Rama, janë vënë në dijeni edhe aleatët strategjikë, vendet partnere të NATO-s dhe disa vende të tjera mike të Shqipërisë.

Sa i përket sulmit kibernetik, kryeministri tha se dëmet janë të vogla, ndërsa sistemet u rivunë në punë dhe nuk u zhduk asnjë e dhënë.

“Lajmi i mirë është se ne e dimë se çfarë duhet të bëjmë e si duhet ta bëjmë për të mos na prekur dot askush, ashtu siç dimë edhe se do t’i bëjmë siç duhet gjërat e duhura, sepse kemi partnerët e duhur.’- tha Rama.