Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nuk ka asnjë dyshim mbi kërkesën e popullit për të ndarë Shqipërinë nga Maqedonia e Veriut në rrugëtimin e përbashkët deri tani drejt Bashkimit Evropian.

Tirana zyrtare, nëse Konferenca e Parë Ndërqeveritare ngelet në ngërç, do të kërkojë ndarjen nga fqinjët dhe hapjen e negociatave menjëherë, duke qenë se kushtet janë plotësuar.

“Unë nuk jam shumë optimist për heqjen e vetos bullgare”, tha Rama sa i përket ngërçit lidhur me hapjen e negociatave për dy vendet.

Megjithatë, ai theksoi se ka një shenjë optimizmi nga Bashkimi Evropian, sa i përket heqjes së vetos bullgare, edhe pse vetë Rama nuk ka shumë shpresa.

Por, pritje për Konferencën e parë Ndërqeveritare, nuk do të ketë më dhe kursi diplomatik i Tiranës në këtë sferë, do të ndryshojë tërësisht sipas kryeministrit.

Si iu përgjigjën shqiptarët Këshillimit Kombëtar?

Faza e shumëpritur e rezultateve të procesit të Këshillimit Kombëtar ka ardhur, ku shifrat treguese shfaqin mbështetje në masë të pohimeve të paraqitura nga Qeveria e Shqipërisë.

Shifrat dhe pyetjet më interesante, lidhen sigurisht me faktorë si kultivimi i kanabisimit, qëndrimi mbi nismën Open Balkan, shkëputja e Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut në rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian apo përdorimi i certifikatave të vaksinimit në jetën e përditshme.

Sa i përket kultivimit të kanabisit, 61% e qytetarëve janë pro lejimit të kultivimit të kanabisit për qëllime mjekësore. Kundër janë vetëm 29% e njerëzve dhe nuk e di 10%.

Sa i përket qëndrimit të qytetarëve mbi nismën Open Balkan, shumica e shqiptarëve janë pro, me 59% të votave. 26% e personave që janë përgjigjur janë kundër dhe 15% nuk janë shprehur mbi çështjen.

Ndarja e rrugëtimit të Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut në rrugëtimin evropian, sheh 67% pro rrugëtimit të Shqipërisë si e vetme. Vetëm 19% e personave që janë përgjigjur është pro rrugëtimit të përbashkët të dy vendeve të rajonit drejt BE-së, teksa një numër i lartë prej 14% të të anketuarve, nuk ka dhënë përgjigje mbi çështjen.

I vetmi rezultat kundër në 12 pyetje, është ai i lidhur me certifikatat e vaksinimit, nëse duhet të kryhen hyrjet në institucione apo ambiente publike vetëm nëpërmjet tyre.

53% e shqiptarëve kanë folur kundër këtij aspekti. Pro janë 41% e tyre, ndërsa 6% nuk kanë folur mbi çështjen.

Mbi çështjet e tjera, mbrojtja sociale për nënat me tre fëmijë të mitur ose më shumë, në masë, 81% e shqiptarëve, janë pro që ato të fitojnë status të veçantë. 14% janë shprehur kundër, teksa 5% e tyre, nuk janë përgjigjur.

Ashpërsimi i dënimeve përsëritëse për autorët ka parë sërish mbështetje të madhe me 81% të përgjigjeve pro. Kundër janë shprehur 13% e të pyeturve ndërsa abstenim janë 6%.

Kush denoncon punëdhënësit që fshehin sigurimet shëndetësore apo heqin punonjësit padrejtësisht nga puna duhet të fitojë mbrojtje nga shteti dhe pagë. Pyetja e tretë e pyetësorit, ka gjetur mbështetjen e 69% të qytetarëve. Kundër janë 24% ndërsa abstenojnë të përgjigjen 7% e tyre.

Mbi pensionistët, të cilët ende vijojnë të punojnë dhe faktit nëse ata duhet ose jo të paguajnë kontribute, 66% thonë se nuk duhen paguar kontributet prej tyre. Kundër këtij pohimi janë 27% e qytetarëve dhe abstenojnë 6% e tyre.

Emigrantët që depozitojnë kursimet duhet të marrin amnisti të plotë nga shteti. Po, thonë 66% e përgjigjeve. Jo, thonë nga ana tjetër 24% e tyre. Pa përgjigje konkrete janë 10% e të pyeturve.

Gjobat për evazionin fiskal nga ana e bizneseve të mëdha duhet të ashpërsohen sipas 65% të të anketuarve. Legjislacioni momental është mirë kështu si është, thonë 27% e përgjigjeve ndërsa 8% mbesin neutral.

Ata që ndotin ambientin duhen ndëshkuar më shumë sipas 77% të atyre që janë përgjigjur. Kundër këtij pohimi janë 17% e tyre dhe 6% mbesin neutral.

Pyetja e fundit lidhet me gjyqtarët, të cilët nuk kanë kaluar vetingun, nëse ata duhet ose jo të pezullohen automatikisht nga detyra.

Pro këtij pohimi janë 74% e popullsisë, 19% kundër dhe 7% janë përgjigjur nuk e di.

Këshillimi Kombëtar, duke parë rezultatet e arritur, sipas kryeministrit Edi Rama, do të kthehet në një traditë vjetore të qeverive shqiptare.