“Një deputet i PD, ish ministër në qeverinë Berisha, ka një vilë të pajustifikuar 760 mijë euro, dhe me këtë informacion në dorë, kryeministri Edi Rama e ka peng”. Kjo akuzë e Gazmend Bardhit nuk kaloi në heshtje.

Në seancën plenare në Kuvend, deputetët që iu përmendën emrat si pronarë të mundshëm të vilës, Tritan Shehu dhe Emond Spaho, u përplasën me Gazmend Bardhin. Kur Grupi i Rithemelimit i doli kundër formulës së Enkelejd Alibeajt për zgjedhjen e presidentit të ri, Bardhi ngriti një akuzë të fortë, por la mister se kujt i drejtohej.

“Pyetje për “opozitën e vërtetë”; vilën 760 mijë euro, e shitën apo spo ja ble askush? Nuk mund të mbash peng opozitën për një vilë të pajustifikuar që të ka zbuluar dhe me të cilën të mban peng Edi Rama”, shkruante Bardhi.

Këtë të enjte, Gazmend Bardhi zbuloi se vila që është nxjerrë në shitje në Gjirin e Lalzit, ndoshta nga debati i hapur prej tij, e ka ulur çmimin dhe tashmë shitet për 670 mijë euro.

‘E rëndësishme është që për shkak “të publicitetit” çmimi i vilës është ulur’- shkruan sot Bardhi.

Në një studio televizive, duke dashur të mbajë nën presion personin në fjalë, nëse rezulton vërtetë të jetë një vilë në pronësi të një deputeti, Bardhi e ngushtoi rrethin duke thënë se mund të jetë njëri nga këta 4 emra, deputetë të PD, ish-ministra të Berishës: Flamur Noka, Tritan Shehu, Edmond Spaho ose Bujar Leskaj.

Përgjigjen e mori nga Tritan Shehu dhe Edmond Spaho. Shehu i quajti akuzat inskenime dhe i thotë që nëse ka prova të denoncojë në organet përkatëse, ndryshe-, si një ish-ministër Brendshëm-, thotë Shehu, duhet ta dijë se akuzohet për fshehje krimi.

Njëjtë edhe Edmond Spaho në një reagim, i quajti gënjeshtra për qëllime politike. Spaho thekson se gjithë jetën ja ka dalë me punë dhe nuk ka asnjë biznes në emrin e tij apo të familjarëve, jo më një pasuri të tillë.

Nisur nga të dhënat që Bardhi jep për vilën, Report Tv zbulon se bëhët fjalë për dy vila luksoze në Gjirin e Lalzit të përshtatura në një godinë me sipërfaqe 810 m2 dhe ndërtim 400 m katror.