Frrok Çupi/

Mund të ndodhë si atje!…, por këta as ‘syrin’ të mundësisë nuk e lënë hapët për Spanjën…

Terrorizmi në Spanjë tronditi botën. Jo vetëm pse 14 të vrarët dhe 100 të plagosurit ishin nga 34 kombësi dhe 20 shtete të botës; por edhe për këtë arsye, pse jo. Bota tani është ‘e vogël’; terrori e ka bërë edhe më të frikësuar.

Ne ku jemi?, ne shqiptarët- aleatë të denjë të të mirës dhe të të keqes në këtë botë të ‘vogël’! Ka një memorie të pashoqe, si një pasqyrë, që na tregon se asnjëherë nuk e kemi prishur gjumin kur kemi dëgjuar për terrorin në botë. Shteti nuk e ka bërë këtë, ndërsa njeriu i vetëm përpiqet shpesh të identifikohet përmes terrorit. Edhe një person me identitet shqiptar sot ka mbushur faqet e mediave, me ‘heroizmin’ e Barcelonës. Ai mund të mos ketë qenë fare atypari, por shkruan se “Ou! ç’hoqa unë, për punë sekondash shpëtova”.

Në këtë rast edhe mitomania duhet toleruar, mjaft që e çmon rrezikun e terrorit.

Shteti pse vallë nuk  ka frikë?…  Mendoj se shteti është krijesa që duhet ta ketë frikë terrorin më shumë se kurkush. Sepse shteti është ‘Zoti i vdekshëm’ sipas Thomas Hobbes. Zoti është rojtar për të gjithë, prandaj shteti (zoti) duhet të ketë frikë një milionë herë më shumë se individi kur ruan një milionë individë; ose 100 milionë herë më shumë kur ruan 100 milionë njerëz.

Frika e bën shtetin edhe që të flasë për terrorin; të flasë e të vërë buritë, nuk është turp, nuk i bie autoriteti. Përkundrazi, shteti ka rast që të hapë sytë e të bëhet njerëzor kur ka terror në vigjilje. Por këtu akoma nuk ka folur shteti, edhe pse këtu në Mesdhe, afër nesh, plasën ‘Kullat Binjake”. Spanja e terrorizuar është imazhi pas 16 vjetësh i Kullave Binjake.

Të gjitha janë afër e afër, prandaj shteti ka rol të afrojë ‘frikën’ me individin dhe ta mbrojë njeriun.

Afër janë ‘Twin Towers’ në New York ku nisi terrorizimi i botës nga terrori i organizuar pas Luftës së Dytë; Nju Jorku është afër  me Barcelonën, është afër Nice me Stambollin, Parisi me Berlinin, Charlottevile me Las Rambas; dhe Virginia me Catalanian. Të gjitha janë ‘lapidaret’ e fundit të terrorizmit botëror.

Më afër se askush ndodhemi ne me të gjithë, duke u nisur me Catalonian. Një ‘vrap kali’ nëpër detin Mesdhe, dhe nga Saranda mbërrijmë në Catalonia. Por shteti nuk thotë asgjë për terrorin ‘Catalan’. Në Sarandë ka shumë krim këto ditë, ka mjete terrori njësoj si të terroristëve të Spanjës. Por asnjë fjalë nga shteti…Në legjendat tona kombëtare, kur nuk kishim akoma shtet, kishim ‘Katalanin’ që vinte nga deti; gjithë historitë tona me të ardhurin nga deti, janë me “Katalanë”. Atëherë pse sot shteti nuk e  afron rrezikun terrorist që iu shfaq ‘Catalonia-s’ me ne që jemi këtu në brigje. Vendi ynë është i hapur p%r akte ekstreme: Kufij të hapur; korrupsioni nga kufiri te dogana; klani familjar si çerdhe që mund ta përdorë terrorizmi; imitimi i filmave, i pamjeve nga lajmet me terror, i zjarrvënieve; muxhahedinët prezentë; influencat nga ISIS, etj.

Jemi fare afër me botën ku ‘lind terrorizmi’ siç është edhe i ashtuquajturi ‘Shteti Islamik”.

Por nuk është e tëra afërsia gjeografike dhe historike. Ne përjetojmë terror njësoj si kombet e tjerë. Nuk ka pse të shkojmë pas në kohë dhe të themi si komunistët se ‘nuk kemi lidhje me botën’. Terrorizmi i llojit të Spanjës ose Parisit, mund ta prekë menjëherë Shqipërinë. Shteti nuk ka asnjë garanci,  por megjithatë nuk ka thënë asgjë.

Terrorizmi mposhtet njësoj sipas natyrës së vet. Edhe krijohet, edhe njihet po kështu- sipas natyrës së vet. Shteti e bën identifikimin e tij. Jemi në periudhën më të ngarkuar të vitit me njerëz; njerëz kudo nga vendi dhe nga bota- për shkak të natyrës sonë tërheqëse turistike. Në këtë vërshim njerëzor terrorizmi mund të ketë fushën e tij më të përshtatshme. Por deri më sot shteti nuk është zgjuar akoma nga ky ‘sy’.

Pse nuk vë shteti alarmin për të na ruajtur nga terrorizmi që ndodhet pranë nesh? Është detyrë e shtetit; asgjë nuk e zëvendëson shtetin në këtë pikë, edhe shteti më i dobët qoftë. Pa shtetin ne mbetemi zbuluar para rrezikut…

A mos vallë jemi ne ‘ortak’ me terroristët, dhe kjo është arsyeja pse shteti nuk flet? Absurd dhe tmerr po të krijohet kjo ide…  Por shteti me heshtjen e  vet, pikërisht  këtë lë për të nënkuptuar. A mos jemi ne të izoluarit dhe të ‘protektuarit’ nga terrorizmi?! Jo, aspak… Heshtja e shtetit na lë shumë njolla para botës, sikur jemi ‘shokë’ të terrorizmit. Por mund të na krijojë edhe rrezikun e madh që të ndodhemi në qiell ‘të hapët’.

… E duam shtetin- Zot që të ketë frikë nga terrorizmi; frikë 4 milionë herë më shumë se çdo qytetar i Shqipërisë.

Veritas.com.al/