Nga: Express/

Dramën që e shitën në opinion “Baballarët e Kombit” përmes gazetarit Baton Haxhiu, rezulton që ishte një gënjeshtër e pastër. Sipas tyre, Kulla e Trafikut Ajror i kishte futur ata në hapësirën ajrore të kontrolluar nga Serbia dhe kjo përbënte rrezik meqenëse në avionin e Pacollit po udhëtonin krerët e shtetit të Kosovës, që ishin nisur për Bruksel. E vërteta del të jetë ndryshe. ALBCONTROL ka sqaruar për Gazetën Express se planin e fluturimit e kishte hartuar vetë piloti i Pacollit dhe se ky institucion thjesht e kishte aprovuar tek autoritetet evropiane.

Pak para mesnatës së të martës, krerët e Shtetit të Kosovës kishin hedhur në opinion një gënjeshtër të pastër, në përpjekje për ta shtuar dramën e udhëtimit të tyre epik në Bruksel, ku do të merrnin të nesërmen lajmin e madh për liberalizimin e vizave.

Gazetari Baton Haxhiu kishte dalë në opinion për të treguar se jeta e liderëve të Kosovës në këtë natë kritike ishte rrezikuar seriozisht.

Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj, Kadri Veseli, Fatmir Limaj, Behgjet Pacolli dhe Dardan Gashi ishin nisur në Bruksel me avionin privat të zëvendëskryeministrit Pacolli dhe për shkak të pakujdesisë së Kullës së Trafikut Ajror të Tiranës ata po futeshin pavetëdijshëm në territorin e Republika Srpskas që kontrollohet nga Beogradi.

Sipas Haxhiut, vetëm syçeltësia e Behgjet Pacollit e kishte vërejtur këtë detaj në momentet e fundit dhe kishte urdhëruar avionin të kthehej në Tiranë, për t’ua shpëtuar lëkurën ish-drejtuesve të UÇK-së.

Kjo ishte ‘drama’ që shitën të martën në opinion “Baballarët e Kombit”. Por sot është sqaruar gjithçka përmes një përgjigje për Gazetën Express të kontrollit ajror shqiptar, ALBCONTROL.

Sipas këtij institucioni, plani i udhëtimit ishte bërë nga vetë piloti i Pacollit.

“ALBCONTROL deklaron me përgjegjësi të plotë se ditën e martë, datë 17 korrik 2018, në orën 19:35, avioni me call sign (shenjë thirrjeje) N604BA, nisur nga Prishtina me destinacion Brukselin, me plan fluturimi të përpiluar nga piloti i këtij avioni e të aprovuar nga Network Manager EUROCONTROL, ka hyrë në hapësirën tonë ajrore”, thuhet në komunikatë.

“ALBCONTROL, nisur nga detyra që kryen si Agjencia Kombëtare e Lundrimit Ajror të Republikës së Shqipërisë, nuk ka asnjë akses apo interes mbi informacione si:  numri i pasagjerëve, apo identiteti i tyre”.

ALBCONTROL ofron lundrimin ajror në Republikën e Shqipërisë dhe si rrjedhojë çdo informacion që marrin dhe përpunojnë, ka të bëjë me pajisjet fluturuese (avion, helikopter), rrugën e fluturimit, shpejtësinë, lartësinë e fluturimit, etj.,  por jo me pasagjerët dhe të dhënat e tyre personale.

“Në rastin e avionit me call sign (shenjë thirrje) N604BA të ngritur nga Prishtina me destinacion Brukselin, plani i fluturimit që ne dispononim, i miratuar nga (A) P.O.Box 8172, Rinas – Albania, (T) 0035544522/113 (E) [email protected] ALBCONTROL SH.A. NIPT J61908011H KODI FISKAL 3898088 Network Manager në EUROCONTROL, kishte si pikë hyrje në hapësirën tonë ajrore pikën MAVAR (në kufirin tonë me Maqedonin) dhe fluturim direkt për në pikën RETRA (pikë në kufirin tonë me Malin e Zi, por që është një hapësirë ajrore që kontrollohet nga Beogradi)”, thuhet në komunikatë.

 

“Në momentin kur avioni hyri në kontakt me kontrollorët shqiptarë të trafikut ajror, dhe iu bë e ditur rruga sipas planit të fluturimit që ne kishim marrë nga Network Manager, vazhdoi fluturimin sipas këtij plani, dhe nuk ka pasur asnjë kërkesë speciale nga ky avion gjatë kësaj procedure”, sqaron komunikata.

Më pas jepet edhe një detaj interesant. Pasi që Pacolli ka urdhëruar kthimin në Tiranë, si arsye ka dhënë se ka pasagjerë të sëmurë.

“Gjithashtu bëjmë me dije se avioni me call sign (shenjë thirrje) N604BA është kthyer në hapësirën tonë ajrore me kërkesën se kishte pasagjerë të sëmurë në bord, për të kërkuar më pas rirrugëzim me dalje nga Brindizi, i cili i është ofruar menjëherë, pavarësisht vështirësisë për njoftim në moment të fundit”.

ALBCONTROL thotë se për ta dëshmuar këtë të vërtetë, posedon të gjitha dokumentet dhe regjistrimet zanore mes pilotëve të Pacollit dhe kontrollorëve të trafikut ajror shqiptar.

“Në respekt të objektit të sigurisë së lartë të cilin mbulojmë nuk do të japim detaje të mëtejshme për këtë rast të paprecendet, por me kërkesë të mediave ishim të detyruar të informonim publikun dhe mbi të gjitha të mbrojmë punën e palodhur, konform të gjithë rregullave ndërkombëtare që kontrollorët shqiptarë të trafikut ajror ofrojnë çdo ditë në qiellin shqiptar, me synim kryesor parrezikshmërinë ajrore, detyrë që ALBCONTROL krenarisht ia ofron çdo përdoruesi të hapësirës tonë ajrore, pa dallim e pa cenuar kërkesat dhe rregulloret e miratuara nga Bashkimi Evropian përmes Agjencisë Evropiane të Sigurisë Ajrore (EASA)”, thuhet në komunikatë.

Veritas.com.al/