Lulzim Bashës i skadoi afati i ultimatumit që Sali Berisha i kishte vendosur për të liruar selinë e PD dhe për të lënë lidershipin. Ndërsa në PD nuk u shfaq thuajse asnjë lloj lëvizje gjatë gjithë ditës, mbështetësit ‘pro Berishës’ kanë shkuar pas mesditës në selinë blu. Edhe pse prej ditës së djeshme dyert e PD ishin të kyçura, një grup i Komisionit të Rithemelimit , me në krye Flamur Nokën, kanë tentuar të hapin çdo derë, por e kanë gjetur atë të mbyllur.

Ndonëse e konsideroi selinë blu si një burg të sigurisë së lartë dhe e krahasoi atë më një “Alkatraz modern”, Noka tha se Basha tregoi edhe një herë se është peng i Ramës dhe se në protestën e 8 janarit godina e ‘blinduara dhe bunker’ e PD do të kthehet në shtëpinë e lirë të demokratëve, ndërsa siguroi se kjo protestë do të jetë paqësore.

Sali Berisha i dha ultimatum Bashës që të lironte zyrën deri më 5 janar në të kundërt do të shkojë në ‘shtëpinë e demokratëve’, por kryedemokrati i është përgjigjur duke ‘fortifikuar’ më tej selinë, duke i paraprirë një sulmi të mundshëm. Ndërkohë më 8 janar, Berisha ka paralajmëruar për protestë para selisë blu ‘thirrur për forcimin e PD-së’. Është publikuar edhe slogani i kësaj ‘Proteste Kombëtare’: ‘Jo bunker i pengut, por shtëpi e demokratëve’. Protesta është planifikuar të nisë në orën 12:00 para selisë së PD.

Ditën e djeshme, përplasja mes Berishës dhe Bashës arriti kulmin, teksa kryedemokrati artikuloi akuza të rënda ndaj Berishës që nuk i kishte përmendur më parë. Sipas Bashës, Berisha bën biznes dhe pastron para me trafikantët e drogës të shpallur “Non Grata” nga Britania e Madhe. Basha nuk përmendi emra konkret, por foli për pjesëtarë të një organizate kriminale B9, me të cilët thotë se Berisha dhe familja e tij bëjnë biznes me pasuri të paluajtshme me ta në një skemë të pastër pastrimi parash si dhe ndajnë edhe fitimet nga bizneset me lojërat e fatit.

Kujtojmë se krahas betejës fizike për selinë, Berisha dhe Basha kanë nisur edhe një betejë në gjykatë, për legjitimimin e statuteve. Sali Berisha ka dërguar në gjykatë për konfirmim statutin që miratoi në Kuvendin e 11 dhjetorit 2021, ndërsa në gjykatë për konfirmim ka dërguar edhe Lulzim Basha statutin e ndryshuar të PD-së, ndonëse 5 muaj më vonesë. Konflikti në PD nisi në 9 shtator 2021, ditën kur Lulzim Basha, pas një ultimatumi nga SHBA, pezulloi Sali Berishën si anëtar të grupit parlamentar të PD-së, për shkak se ishte shpallur non grata për korrupsion madhor, shantazh ndaj drejtësisë dhe minim të demokracisë.