Katër persona janë arrestuar në lidhje me skandalin e publikimit të pagave dhe të dhënave personale të mbi 650 mijë qytetarëve. Në pranga përfunduan dy punonjës të IT te Drejtoria e Tatimeve, Andi Agaraj dhe Eni Qirjako si dhe 2 përmbaruesit privat Klodian Sota dhe Endri Ikonomi, të cilët blenë këto të dhëna. Gjithashtu nën hetim në gjendje të lirë është edhe drejtori i IT në drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, Ervin Muça

Drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Imeraj tha se specialistja e IT te Tatimet, Eni Qirjako mori pagat nga sistemi dhe ia kaloi kolegut të saj të IT, Andi Agaraj duke qenë se të dy kishin mundësi të kishin akses te të dhënat e databazës si të punësuar që ishin. Më pas Agaraj i ka shitur për një vlerë 20-30 mijë lekë për çdo databezë këto të dhëna private te 2 përmbaruesit privat, të cilët më pas i shpërndanë në rrjete social duke përbërë një skandal të vërtetë dhe kërcënuar sigurinë dhe privatësinë e mbi 650 mijë qytetarëve. Hetimet e prokurorisë vijojnë edhe për zbulimin se nga dolën të dhënat e targave të mbi 530.452 qytetarë shqiptare privat dhe për 61.513 biznese, banka, ambasada etj!, ndërsa hetimet për patronazhistët janë dosje më vete.

Prokuroria fakton se nuk ka ndërhyrje në sistem, por shpërdorim detyre nga ana e punonjësve dhe se hetimet vijojnë për zbulimin e qëllimin e shpërndarjes së të dhënave nga përmbaruesit privat.

“Specialiste IT, e punësuar tek AKSHI ka pasur akses tek pagat, ka hyrë dhe i ka marrë të dhënat, i ka shpërndarë tek kolegu i saj, pa autorizim ua ka shitur subjekteve private. S’ka ndërhyrje në rrjetin kompjuterik, kanë shpërdoruar detyrën. 2 të dyshuar të tjerë në privat, që kanë blerë të dhënat”, tha Elisabeta Imeraj

Si u shpërndanë të dhënat?

Sipas dosjes së Prokurorisë, rezulton se Qirjako, ka filluar punë si Specialiste IT te Drejtoria e Përgjithshme  e Hetimeve më 20 korrik të 2020 ndërsa u vu në dijeni të shpërndarjes së të dhënave të pagave më 22 dhjetor të vitit të kaluar. Pas kësaj, ajo ka njoftuar eprorin Ervin Muça se ora dhe data e krijimit të dosjes Exel përkonte me datën dhe orën që këto të dhëna ajo ja kishte dërguar kolegut të saj, Andi Agarajit. Rezulton se ishte pikërisht Qirjako ajo që përdorte user-in me emrin Moza Seraj, nga ku dolën të dhënat. Nëpërmjet E-mailit të aj të punës, te ai i Agaraj Qirjako dërgoi në ditë të ndryshme listë pagesat e muajve shtator 2020, tetor 2020, dhjetor 2020, janar 2021, mars 2021 dhe shtator 2021.

Më parë se Andi Agaraj, i cili sipas prokurorisë ka shitur të dhënat personale te dy përmbaruesit, ishte teknik IT në Drejtorinë e Tatimeve i punësuar me një kontratë provizore në mars të 2013, në kohën kur ishte ende në qeverisje Partia Demokratike, e më pas i stabilizuar me kontratë me kohë të plotë në 2014, kur në krye të Tatimeve ishte Briseida Shehaj, e propozuar nga PS, por prej kohësh e lidhur me LSI, me të cilën edhe u kandidua si deputete.

Skandali i publikimit të pagave dhe të dhënat personale rrezikoi  stabilitetin dhe sigurinë e qytetarëve. Këto të dhëna u shpërndanë me shpejtësi në rrjetet sociale ku përfshinte të dhënat e pagave të mbi 650 shqiptarëve, numra celulari personale të 900 mijë qytetarëve shqiptarë dhe ajo e targave e mbi 530.452 qytetarë shqiptare privat dhe për 61.513 biznese, banka, ambasada etj!