Prej ditësh ngrihen e ulen hipoteza për vrasjen në makinë të biznesmenit vlonjat Bukurosh Malaj. U tha se është vrarë me armë, por nuk u gjetën prova; u tha se fajtore është vajza që po udhëtonte bashkë me të, por pa prova; u tha se është vrarë në aksident automobilistik, por makina nuk ksishte asnjë dëmtim. Më shumë këmbënguli vëllai i zotit Malaj, për zbulimin e të vërtetës.

Sot Prokuroria ka ndërtuar dhe shpallur skemën dhe dinamikën e ngjarjes:

“Bukurosh Malaj ka qenë duke udhëtuar me makinën e tij mercedez benz me targa AA 184 CE nga Vlora për në një pikë ku shiteshin pajisje të përdorura elektroshtëpiake pasi do të blinin disa mallra për dyqanin e tij Fast Food.

Së bashku me të në makinë ka qenë dhe e njohura e tij Adela Sinanaj. Kur kanë arritur afër një karburanti, sa kalon fshatin Panaja, Bukuroshin e kanë marrë në telefon dhe ai ka marrë rrugën për tu kthyer në Vlorë.

Në këtë kohë i ka thënë Adelës që nëse kishte dëshirë mund ti jepte makinës. Adela ka hipur në sediljen e shoferit ndërsa Bukuroshi në sediljen e parë të makinës. Pasi kanë ecur 5-10 minuta Bukuroshi ka nxjerrë kokën jashtë xhamit për të parë gomën prapa të makinës, pasi makina jepte një zhurmë.

Në këtë moment koka i është përplasur me karrocerinë e një kamioncine të parkuar anës rrugës dhe ai ka rënë brenda në makinë, pa ndjenja dhe i gjakosur. Adela ka frenuar menjëherë dhe ka kërkuar ndihmë.

Djali i familjes që banonte pranë vendit ku ndodhi aksidenti i ka ardhur në ndihmë duke drejtuar makinën për ta çuar Bukurosh Malaj drejt spitalit,” thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Sipas prokurorisë Adela Sinanaj nuk ishte pajisur me leje për drejtimin e automjetit dhe mbi të rëndon akuza për “Shkelje të rregullave të qarkullimit dhe drejtim i automjeteve në mënyrë të paregullt”. /Ora Neës/