Frrok Çupi/

Sot, 11 Dhjetori është shenjuar botërisht si Dita e Maleve.

Malet janë bukuria e rrallë e natyrës. Pa malet çfarë do të ishte bota!?… Çfarë po them?! Këto dilema nuk kanë vend; natyra i ka ndërtuar balancat në atë përsosmëri sa që pa një gjë, gjërat e tjera si mund të ishin!? Por malet janë mahnitëse.

Ka shumë njerëz që nuk iu afrohen maleve; ka shumë njerëz që nuk “i duan” malet sepse nuk i arijnë. Ka shumë njerëz që nisin e ngrysen në “moçal” – dhe ky ka vendin e vet në balanca e diversitet.  Por ata që nuk synojnë t’i afrohen malit ngrysen pa mrekullinë e lartësisë dhe prandaj janë mungestarë në jetë. Ka shumë njerëz që për arsye se nuk kanë mundur t’i duan malet, nuk duan edhe ata që i duan malet. Ka shumë njerëz që i urrejnë malësorët dhe i thërrasin “malokë”. Ata që ndodhen më poshtë në “moçal”- sipas idesë edhe të Donald Trump “dry the swamp!”; aq më keq i urrejnë njerëzit e lartësive dhe i krahasojnë me ultësirat, i quajnë edhe “shpellarë”. Pa hapni mediat sociale. facebook, etj., dhe do të dalloni njerëzit e “swamp” që thërrasin “malokë” e “shpellarë”. Sa keq që iu ka shkuar jeta pa u ngjitur as edhe një herë në lartësi. Nuk e kanë ngritur ballin asnjë herë; në qoftë se sipërorja e kokës së tyre quhet “ballë”.

Malet në gjithë botën zënë 27 për qind të tokës, malet luajnë rol vendimtar në lëvizjen e botës drejtë rritjes së qëndrueshme ekonomike- konstaton bota e diturisë dhe e statistikave. Megjithatë, kjo datë nuk mbahet mend nga shumë njerëz. Normale. Por kjo datë mbahet mend nga njerëzit e “moçalit”, besojeni… këta e dinë ktë datë. Sepse e kanë parë gjithë jetën nga ultësirat e zilisë dhe të pazotësisë për t’u ngjitur pak më lart se aty poshtë ku janë.

Dita Ndërkombëtare e Maleve u shpall nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së më 11 dhjetor të vitit 2003 , pas shpalljes së Ditës Ndërkombëtar të maleve nga ana e OKB-së që shpalli në vitin 2002. Malet jo vetëm që sigurojnë furnizimin dhe mirëqenien e 720 milionë njerëzve në male nëpër botë, por në mënyrë indirekte përfitojnë miliarda më shumë për ata që jetojnë në zona urbane. Malet sjellin ujë të pastër, energji dhe ushqim- burime që mund  të jenë gjithnjë e më të pakta në dekadat e ardhshme.

Malet ushqejnë edhe njerëzit që vegjetojnë poshtë; kanë edhe këto mëkatet e tyre.

/Veritas.com.al/