Ditën e sotme do të mblidhet Kuvendi i Shqipërisë dhe do të diskutohet marrëveshja për projektin e Portit të Durrësit. Është vendosur që të debatohet 6 orë për ndërtimin e Portit të ri yahteve të Durrësit, marrëveshje e cila ka shkaktuar shumë debate mes opozitës dhe maxhorancës.

Opozita e cilëson një aferë korruptive kjo për shkak të kërkesës së maxhorancës për ta kaluar me procedurë të përshpejtuar. Nga ana tjetër PS thotë se do të bëhet porti më i madh në Mesdhe dhe do të kthehet në të ardhura për vendit tonë.

Sot pritet të miratohet buxheti dhe paketa fiskale 2023. Ndërkohë në rend dite është futur edhe një interpelancë e kërkuar nga grupi i deputetëve të Enkelejd Alibeajt me kryeministrin Edi Rama për përmbytjet.

Pas më shumë se një muaji diskutimesh, Pr/Buxheti 2023 dhe Paketa Fiskale kanë marrë vulën përfundimtare të komisioneve për të kaluar në seancën e sotme plenare, ku pritet edhe votimi i tyre. Buxheti i vitit 2023 parashikohet 632.9 mld lekë ose rreth 29% e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Borxhi publik synohet të ulet në 69% nga 73.2% që ishte në 2021, ndërsa rritja ekonomike pritet të shkojë 2.6% vitin e ardhshëm.

Fokus të veçantë në buxhet ka marrë sektori energjetik, ku parashikohet fondi prej 12 miliardë lekësh. Po ashtu është parashikuar një fond prej 2. 3 miliardë lekësh që të përdoret për politika të reja pagash. Viti 2023 është vit zgjedhor dhe fondi i parashikuar për këtë qëllim është 1. 8 miliardë lekë.