Me: Sonia Khush, UNICEF/

U sulmuan fëmijë; pastaj u bombardua spitali ku po kuroheshin të intoksikuarit. Të paktën 100 viktima u shkaktuan nga sulmet shnjerëzore.

Sulm kundër fëmijëve. Trupa vogëlushësh të pajetë, që varen nga krahët e punonjësve të ndihmës. “Pamje tronditëse. Njerëzimi vdiq sot në Siri”, thotë UNICEF. Të martën në mëngjes në provincën e Idlib, në veriperëndim të Sirisë, janë shkaktuar të paktën njëqind viktima, shumë prej tyre fëmijë. Më pas, një tjetër sulm nga ajri, ka goditur spitalin ku po kuroheshin të intoksikuarit. Tmerr brenda tmerrit!

Ende nuk është e mundur të përcaktohet me siguri substanca e përdorur, edhe pse simptomat e të plagosurve – vështirësi në frymëmarrje, shkumë nga goja, të vjella mes të tjerave – duket se forcojnë hipotezën që ka qenë sarin, një lloj gazi nervin. “Mjekët e partnerit tonë, Syrian relief, bënë të ditur se kishin pritur tre fëmijë nën moshën gjashtë vjeç, në gjendje pothuaj të fikëti, që nuk mundeshin të merrnin frymë. Mjekët thonë se janë simptoma të shkaktuara nga agjentë nervin”, ka thënë Sonia Khush, drejtore e Save the Children në Siri.

Bombat janë lëshuar nga avionë luftarakë, ndoshta rusë apo të regjimit të Assadit. Goditën qytetin e Khan sheikhun, që është ende nën kontrollin e rebelëve. Observatori sirian për të drejtat e njeriut ka thënë se shumë prej të vrarëve ishin civilë. Aktivistët që janë pjesë e opozitës në Siri e kanë përshkruar sulmin, si më të rëndin në gjashtë vite luftë. Sipas tyre, pothuaj një e treta e viktimave janë civilë.

BE dhe Turqia kanë akuzuar Assadin për sulmin. Franca ka kërkuar një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurisë të OKB. “Këto veprime të urryera të Bashar al Assadit janë pasoja të dobësisë dhe pasigurisë së administratës së kaluar”, ka akuzuar zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer.

Prej shumë orësh qarkullojnë në internet fotografi dhe filmime të rënda, që tregojnë pasojat e bombardimeve.

Ndërkohë është mbledhur Këshilli i Sigurimit i OKB, shkruan “Bota.al” në vijim të sulmit me armë kimike në Siri. Rebelët akuzojnë qeverinë e Bashar Al Assadit për sulmet ndërkohë që ky i fundit mohon çdo përfshirje. Ministri i Mbrojtjes i Rusisë thotë se ushtria siriane ka sulmuar një depozitë armësh në Khan Shaykhun.