Me të paktën 70 vota pro pritet të votohet kalimi i propozimit francez në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut ditën e sotme, ku të unifikuar për votimin e kalimit të dialogut të ndërmjetësuar nga Parisi janë edhe partitë shqiptare në Maqedoninë e Veriut.
 Me votimin përfundimtar në Parlament, i cili pritet të ndodhë pasditen e sotme, do t’i hapet kështu rruga edhe nisjes zyrtare të negociatave mes Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut, pas një bllokimi thuajse dy-vjeçar nga Bullgaria.

Sipas burimeve të Albanian Post pranë Parlamentit të vendit fqinj, do të ketë një përpjekje për të ftuar opozitën maqedonase në dialog dhe për ta votuar me më shumë numra. Por, ato janë të panevojshëm në kushtet kur 70 vota e mundësojnë pa asnjë problem kalimin e votimit nga shumica.

 

 

Më 30 qershor 2022, ishte kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski, ai i cili bëri me dije për publikun se e kishte pranuar propozimin e ardhur nga Elysse-ja dhe presidenti francez Emmanuel Macron.

Mbi këtë propozim nga ana tjetër, më 22 qershor 2022, u nda tërësisht në mes Parlamenti i Bullgarisë, i cili nëpërmjet një mocioni mosbesimi, rrëzoi Qeverinë bullgare dhe më pas hoqi veton ndaj Shkupit, duke lehtësuar situatën mes dy vendeve.

Nga Tirana, ishte kryesiministri Edi Rama, i cili me një presion të vazhdueshëm ndaj ndërkombëtarëve, bënte thirrje për çlirimin e ngërçit ndaj dy vendeve.

Pas një gjuhe tejet të ashpër të shfaqur gjatë Samitit të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian, ku Rama e quajti “një turp dhe njollë” për Bullgarinë gjithë çështjen, duke përfshirë këtu edhe “pafuqinë” e BE-së për të bërë gjë ndaj heqjes së vetos, Tirana pa dritë shprese në fund të tunelit, me heqjen e vetos bullgare.

Opozita maqedonase është ajo e cila befas, u zgjua dhe nisi protesta të shumta në javën e fundit kundër kalimit të propozimit francez. Një përpjekje për ta ndaluar atë gjithsesi, do të jetë tërësisht e pasuksesshme, me numrat në favor që Qeveria ka, pëfshi mbështetjen e palëkundur të partive shqiptare.

Në tërësi, janë 28 vota të shqiptarëve, të cilat i japin LSDM-së së Kovaçeksit sigurinë e kalimit të propozimit në Parlament.

Optimizëm sa i përket Konferencës së parë Ndërqeveritare Shqipëri-BE ka shprehur edhe Komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, i cili vizitoi Shqipërinë më 14 korrik dhe deklaroi se vendi është gati për hapjen e negociatave.

Teksa, thirrje maqedonasve për pranimin e propozimit të Macron, ka bërë së fundmi edhe Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila ka qenë tërësisht e investuar në këtë çështje prej fillimit të ngërçit, për gjetjen e një zgjidheje.

Një tjetër lajm shumë i mirë mandej, do të jetë edhe vulosja e projektit për atë që njihet si “unaza e shqiptarëve në Ballkan”, pra korridorin infrastrukturor Tiranë-Prishtinë-Shkup.

Ndërtimii i segmentit prej Shkupit, deri në Qafën e Thanës pritet së shpejti të mbyllë punimet. Ato po zhvillohen nga kompania “Bechtel enka”.

Më pas, do t’i takojë Qeverisë shqiptare të përmbyllë edhe pjesën e mbetur të saj deri në Rrogozhinë, për t’u lidhur më pas me Tiranën, duke mbyllur rrethin e plotë të krijimit të korridorit shumë të rëndësishëm mes tre shteteve, i cili zhvillohet me degëzime edhe në vende më të largëta, duke ofruar kështu lehtësi të madhe në qarkullimin e njerëzve dhe mallrave.