Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vënë nën sekuestro pasuritë e shtetasit Bledar Seferi (alias Hakorja) dhe bashkëpunëtorit të tij italian, Giovanni Di Cosimo, të cilët dyshohet se janë pjesë e një grupi të strukturuar kriminal në Itali dhe Shqipëri që merren me trafikun e lëndëve narkotike.

Prokuroria e Posaçme bëri verifikime pasurore për shtetasin Bledar Seferi (alias Hakorja) dhe familjarët e tij dhe në fund arriti në konkluzionin se ata posedojnë pasuri të pajustifikuara.

Për këtë arsye, gjykata vendosi sekuestrimin e një fabrike për prodhimin e lëndëve plastike në Shijak, tokë me sipërfaqe 5954 m², nga kjo sipërfaqe ndërtesë 3070 m² në Durrës, një ullishte me sipërfaqe 6550 m² në Tiranë, 6 automjete të markave të ndryshme dhe dy llogari bankare në shumën 3.103.244 lek dhe 21.022 euro.

Pasuritë e sekuestruara janë marrë në administrim nga Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, deri në përfundimin e procesit gjyqësor për konfiskimin e tyre.

Italiani Giovanni Di Cosimo u arrestua më 5 dhjetor nga Policia e Shtetit pasi ishte shpallur në kërkim nga autoritetet italiane. Pas verifikimeve ai rezultoi se kishte lidhje me shtetasin Bledar Seferi (alias Hakorja), të cilët janë të dy pjesë e një grupi të përfshirë në trafikun e narkotikëve.

VERITAS.COM.AL/

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.