Policia suedeze njoftoi të premten se një kamion ka hyrë në grupin e njerëzve në qendër të Stokholmit dhe ka të lënduar, derisa mediat lokale lajmërojnë për tre të vdekur.

“Policia ka pranuar një thirrje SOS, se një person me automjet ka lënduar njerëzit tjerë në Drotningatan”, ka shkruar policia në llogarinë e saj Twitter.

Tash për tash nuk dihet nëse bëhet fjalë për aksident komunikacioni ose sulm. Sipas Aftonbladet, një kamion i vogël rreth orës 15.00 ka hyrë në qendër të qytetit dhe ka goditur një punëtori, ndërsa një dëshmitar tha se qindra njerëz kanë ikur për të shpëtuar.

“Kam parë të paktën tre të vdekur, por me siguri ka më shumë”, ka thënë reporteri i rrjetit P4, Martin Sveningsen.  Incidenti ka ndodhur në hyrjen e rrugës Drotningatan, e njohur si zonë e kalimtarëve në Stokholm. Siç njoftojnë mediat lokale, në vendin e ngjarjes kanë dalë pesë autoambulanca dhe dhjetëra të automjeteve të policisë, derisa helikopteri po vëzhgon zonën e bllokuar. Nëse vërtetohet se me të vërtetë është sulm terrorist, atëherë ky do të jetë sulmi i tretë me automjete ngarkuese në Evropë brenda një viti. Në Nica, në korrik, Muhamed Bulel me kamion hyri në shëtitore me rastin e Ditës së Bastiles, duke shkaktuar vdekjen e 84 personave, ndërsa në dhjetor në Berlin me kamion ishin mbytur 12 persona.

/Veritas.com.al/