Presidenti i Republikës Bajram Begaj do të mbledhë nesër Këshillin e Sigurisë Kombëtare mbi çështjet për sulmet kibernetike. Në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë është konfirmuar pjesëmarrja e kryeministrit Edi Rama, ministres së Jashtme Olta Xhaçka, ministrit të Mbrojtjes Niko Peleshi, ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi, ndërkaq mund të jenë edhe kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla, ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, ministrja e Financave Delina Ibrahimaj, ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës Belinda Balluku.

Vendimi i Begajt për të thirrur Këshillin e Sigurisë vjen pak pas dorëzimit në Kongresin Amerikan të rezolutës që dënon sulmet kibernerike të Iranit ndaj Shqipërisë. Rezoluta e dorëzuar nga kongresmenët amerikanë Ritchie Torres, Robert Aderholt, Jim Himes dhe Lisa Mc.Clain, kërkon vazhdimin e vendosjes para përgjegjësisë të Iranit, si organizator i sulmeve, si dhe forcimin e mbrojtjes kibernetike të Shqipërisë. Sipas Torres, Tehearani do të tentojë shkatërrimin e Shqipërisë nëse nuk merren masa.

Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka përshëndeti nismën duke shprehur mirënjohje për ligjvënësit amerikanë dhe theksuar se është thelbësore që Irani të japë llogari.

Mirënjohje për Kongresmenët  Ritchie Torres Robert Aderholt, Jim Himes, Lisa Mc.Clain për dorëzimin e rezolutës që dënon sulmet kibernetike kundër Shqipërisë. Është thelbësore që Irani të japë llogari për veprimet e tij.  Mirëpresim mbështetjen e Kongresit të SHBA-ve dhe përgëzojmë punën e Grupit që mbulon Shqipërinë”- shkroi Xhaçka.