Partia Demokratike këtë të shtunë e konsideroi përpjekjen e ish-kryeministrit Sali Berisha për të thyer dyert e godinës së selisë si një nga aktet finale të ish-kreut të kësaj partie, me veprimet e të cilit, u shënua edhe largimi i tij me turp nga skena politike.

Në deklaratën e saj për mediat, PD thekson se është për të ardhur keq ku përfundoi Sali Berisha, duke e krahasuar këtë të fundit me Edi Ramën e 21 janarit.

“Për të ardhur keq ku përfundoi Sali Berisha, i njëjtë me Edi Ramën e 21 Janarit! Me një grusht njerëzish kërkon të marrë me dhunë Partinë Demokratike për ta kthyer në një bunker, ku të strehojë veten dhe familjen kundër interesit të demokratëve dhe të shqiptarëve!”, reagon PD.  

Demokratët theksojnë se në gjithë këtë fatkeqësi për Sali Berishën, pamjet tregojnë se ai është braktisur nga demokratët, pasi po ndiqet nga 800 mercenarë në oborrin e PD-së, që ushtrojnë dhunë në këtë përpjekje të turpshme kundër demokratëve.

Aktet e dhunës së sotme kundër Partisë Demokratike shënojnë izolimin final të Sali Berishës dhe largimin me turp nga skena politike”, thotë PD.