Nga Leart Skiro/

I pashë disa ekrane të kanaleve televizive në Tiranë që pritën si në gjueti çfarë po ndodh në Strasburg ku Këshilli Europian po deklaron qëndrimin mbi negociatat me vendet e Ballkanit Perëndimor, ku është edhe Shqipëria… Po, mirë që ‘gjuajtën’, por më duket se televizionet në këto raste, ose nuk kanë ç’bëjnë, ose janë të paaftë të zgjedhin ‘lajmin’.

Qëndrimi i KE për negociatat me Shqipërinë nuk është më ‘lajm’, aq më pak një gjë që përbën surprizë.

Surprizë nuk është as rasti ‘Shqipëri’ për BE. Surprizë nuk është as për qeverinë shqiptare qëndrimi i BE. Mund të them me siguri se asnjë nga qeveritarët, as politikanë të tjerë, nuk ka qenë para ekranit për të ndjekur mbledhjen e KE ‘live’. Jo, asnjë. Të gjithë e dinin çfarë do të ndodhte.

Nga ana e vet BE e di qysh prej fillimit se nuk do të hapë negociata, por e shtyn nga njëri samit në tjetrin. BE nuk ka problem ‘moral’ pse thotë herë ‘hapim’ herë ‘nuk hapim’ negociata. Korrikun e kaluar tha në Trieste se ‘nuk ka BE për Ballkanin Perëndimor’, pastaj në gusht tha në Durrës se edhe ‘mund të ketë”. Para dy muajsh vendosën afat vitin 2018.

Kësaj herë, sot, KE deklaroi që nga Strasburgu se nuk ka afat për negociata. Për BE as kishte dhe as ka surprizë për Shqipërinë.

Por nuk është surprizë as për qeverinë e Tiranës. Qeveria këtu njeh ‘gropat’ e veta në realizimin e objektivave të BE, por njeh edhe pa aftësinë e BE për të bërë zgjerim,a s në Ballkan dhe as në arenë tjetër. BE tani ndodhet mes konflikteve të brendshme, para zgjedhjeve dhe ndryshimeve të tilla që nuk i japin shanse të jetë më ajo që ishte.

Surpriza mbetet vetëm për ata që i ngulin sytë në ekrane. Naivët që besojnë se kushedi çfarë ndodh bëhen kureshtarë dhe ‘me shpresa’ të kota. Për këta punojnë edhe mediat që ‘gjuajnë’ herë Brukselin e herë Strasburgun.

Veritas.com.al/