Saimir Tahiri dha sot dorëheqjen nga mandati i deputetit për tu përballur ‘si qytetar i thjeshtë’ me hetimet e nisura ndaj tij për përfshirje në trafikun e drogës.

Tahiri, deputet prej dy mandatesh, një në Partinë Socialiste në opozitë para vitit 2013, dhe në qeveri si ministër i Brendshëm. 8 vite nën siglën e Partisë Socialiste morën fund 6 muaj më parë kur kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i PS-së e përjashtoi nga grup parlamentar i partisë. Kështu Tahiri doli në Kuvend si deputet i pavarur.

Por me heqjen dorë nga mandati dhe më një deputet më pak në Kuvend, zëvendësimi duhet bërë nga deputeti i radhës që Partia Socialiste ka pasur në listën e kandidatëve në qarkun e Tiranës për zgjedhjet parlamentare të 2017-ës. Kështu, lapsi i bie Spartak Brahos. Deputetin të cilin gjithmonë e kemi parë të përfaqësojë Lëvizjes Socialiste për Integrim, edhe pse ka qenë në listën e PS-së. Por së fundi Braho është shfaqur krah socialistëve, siç ishte rasti i Asamblesë së Partisë të shtunën.

Jo vetëm kaq, Braho mban një post të rëndësishëm krah kryeministrit. Një nga ish-deputetët me të vjetër të Kuvendit, është këshilltar për parlamentin i kryeministrit Edi Rama.

Nuk dihet nëse Braho do heqë dorë nga ky post, për atë të deputetit. Por në rast refuzimi për arsye nga më të ndryshmet, radha për tu bërë deputet i qëllon një djali mjaft të ri. Bëhet fjalë për kryetarin e Forumit Rinor Eurosocialist Shqiptar, Eljo Hyskaj.

Veritas.com.al/