Situata e kaosit në aeroportin e Kabulit në Afganistan ka bllokuar edhe fluturimin e afganëve që do të strehoheshin në Shqipëri. Në Rinas janë gati çadrat pritëse për trajtim mjekësor e psikologjik ndërsa konviktet në Qytetin Studenti kanë gati 1200 shtretër, por ende nuk ka asnjë datë apo orar fiks se kur pritet që të shtetas do të vijnë në vendin tonë për t’u strehuar përkohësisht në vendet e përcaktuara nga autoritetet shqiptare. Ishte parashikuar që ato të mbërrinin në Shqipëri rreth orës 02:00-03:00 të mëngjesit të 19 gushtit, por fluturimi është shtyrë pasi talebanët kanë rrethuar aeroportin e Kabulit duke penguar largimin e afganëve të cilët kanë punuar për perëndimin. Sot u mësua se përveç Tiranës dhe Durrësit, edhe Berati do të hap dyert për të pritur afganët. Në Tiranë do shërbejnë konviktet e Qytet Studentit si strehë për bashkëpunëtorët e perëndimit në Afganistan, në Durrës do të jenë hotelet, teksa në Berat nuk ka ende detaje.

Grupi militant u ka premtuar të huajve kalim të sigurt në aeroport, por shtetasit afganë që kanë të drejtë të evakuohen për shkak të punës së tyre si bashkëpunëtorë për SHBA-NATO kanë raportuar vështirësi madje flasin edhe për dhunë. Sipas mediave ndërkombëtare, talebanët kanë nisur një operacion duke shkuar derë më derë për të identifikuar shtetasit që punonin për ndërkombëtarët. Situata vështirësohet edhe më shumë nga qindra afganë të tjerë të cilët nuk kanë asnjë dokument për t’u larguar, por shkojnë në aeroport me shpresën për të siguruar një vend në një fluturim evakuimi.

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se brenda javës pritet të mbërrijnë rreth 1000 afganë, teksa hodhi poshtë çdo mundësi strehimi në kampe të krijuara posaçërisht për ta, pasi sipas tij do të ishte çnjerëzore. Një ditë më parë, ai listoi edhe argumentet mbi të cilat u bazua qeveria shqiptare për t’i hapur dyert afganëve që kanë bashkëpunuar me perëndimin. Ai u kujdes që të sqaronte se nuk ishte një vendim vetëm për faktin se kërkoi SHBA.  por ishte i detyruar moralisht nga e kaluara e vetë vendit.

VERITAS.COM.AL