Koment/

Bundestagu Gjerman duket më i gatshmi për momentin në marrjen e rolit të negociatorit për zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri.

Prej të hënës ndodhet në Tiranë Katja Leikert nënkryetare e grupit parlamentar CDU-CSU në Bundestagun gjerman, e cila takimin e parë e pati me presidentin Ilir Meta.

Ajo ndodhet në Shqipëri në një vizitë private me ftesë të Fondacionit “Konrad Adenauer”.

Por niveli takimeve në fakt nuk e bën edhe aq shumë private vizitën.

Për më shumë se 90 minuta ajo u takua me kreun e demokratëve Lulzim Basha, i cili nuk e ka fshehur preferencën për pasjen e gjermanëve si negociatorë përballë një stine të akullt presente marrëdhëniesh me SHBA.

Nga njëra anë zoti Basha pranon domosdoshmërinë e negociatorëve ndërkombëtar, por ama nuk heq dorë nga kushtet tashmë të ditura.

“Zgjidhja e kësaj krize kalon përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, ku qytetarët shqiptarë të kenë mundësi ta thonë fjalën e tyre me një votë të lirë dhe të pandikuar nga krimi i organizuar. Çka do të thotë një qeveri tranzitore pa Edi Ramën dhe zgjedhje të parakohshme parlamentare në një ditë me zgjedhje kushtetuese lokale”, shprehet kryetari i PD-së, Lulzim Basha.

Kryedemokrati Basha indirekt e pranon se ka një përpjekje dhe angazhim të theksuar gjerman për krizën.

“Partia Demokratike dhe opozita e bashkuar është në komunikim të vazhdueshëm me faktorin ndërkombëtar. Pjesë e këtij komunikimi ishte edhe takimi i sotëm me nënkryetaren e Grupit Parlamentar të CDU/CSU-së në parlamentin gjerman, zonjën Katja Leikert, komunikim i cili vazhdon intensivisht, në mënyrë pothuajse të përditshme, dhe do të vazhdojë, edhe në ditët e javët në vijim”, ka thënë Basha.

Për herë të parë Zoti Basha ka pranuar qartë ftesën e presidentit Meta, për zgjedhje më 13 Tetor. Por këtë e bën në momentin kur 13 tetori është djegur për shkak të afateve të tejkaluara në regjistrimin e koalicioneve politike.

“Data 13 tetor është data kushtetuese për zgjedhjet vendore e dekretuar nga Presidenti i Republikës…”, shprehet Basha.

Katja Leikert, nënkryetare e grupit parlamentar CDU-CSU në Bundestagun gjerman pasditet e të Martës u takua edhe me kryeministrin Edi Rama. Për negocimin e krizës nuk kanë munguar tentativat e OSBE në Vjenë por pa rezultat. A do të ketë kriza shqiptare ndërmjetës gjerman?

Veritas.com.al/

 

Megjithatë një burim diplomatik i tha gazetarit të Top-Channel Muhamed Veliu, se negocimi mund të nisë në momentin e ngritjes së Gjykatës Kushtetuese pasi negociatorët do ta kenë më të leshtë ti thonë Metës, Ramës e Bashës se për “sherret” e tyre ti drejtohen kësaj Gjykate.