Edhe pse më të paktë në numër, tifozët shkodranë të Vllaznisë kanë shkaktuar një situatë kaotike në pallatin e Sportit “Asllan Rusi” në Tiranë.

E gjitha ka nisur në ambientet e brendshme të “Asllan Rusit”, në pritje të nisjes së përballjes mes ekipeve të basketbollit Tirana-Vllaznia, në finalen e Superkupës.

Në përfundim të përplasjes, u mor vendimi për ta anuluar zhvillimin e ndeshjes.

Express mëson se kanë qenë tifozët e Vllaznisë të cilët kanë nisur të shajnë dhe të ofendojnë tifozët e ekipit të Tiranës. Por nuk ka mbetur gjithçka me kaq.

Pasi janë përplasur mes tyre brenda ambienteve të Pallatit të Sportit sherri ka përfunduar në rrugë. Burime për Express thanë se tifozët shkodranë kanë qëlluar me gurë dhe tulla, tifozët e kryeqytetit, ku për pasojë disa prej tyre kanë mbetur të plagosur. Po ashtu, mësohet se ata janë transportuar për të marrë mjekim në Spitalin e Traumës.

Ndeshja ishte parashikuar të niste në orën 18:00.

Në pallatin e Sportit mbërritën menjëherë forca të shumta policore, jo vetëm të komisariatit numër 2 që ka në juridiksion këtë zonë, por edhe forcat “Shqiponja” dhe rreth 4 grupe të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë. Në vendin e ngjarjes ndodhet edhe zv. drejtori i Policisë së Tiranës Dhimitraq Ziu.

Nga terreni mësohet se për përplasjen e fortë mes tifozëve janë shoqëruar disa prej tyre, kryesisht përkrahësit e ekipit të Vllaznisë.

Arbitrat, të cilët nuk janë shqiptarë, kanë kërkuar që 5 radhët e para të shkallëve të pallatit të sportit të jenë të boshatisura nga tifozët, për të shmangur kështu përsëritjen e ndonjë incidenti tjetër të mundshëm.

/Veritas.com.al/