Bashkia e Parisit ka dhënë lajmërimin ditën e enjte se një mur prej xhami antiplumb rreth dy metër e gjysmë i gjatë do të mbrojë Kullën ikonike të francezëve, ‘La Tour Eiffel’ nga sulmet terroriste.

Muri i ri permanent, i cili erdhi si ide vetëm gjashtë ditë pasi një person me armë të ftohtë ka hyrë mes ushtarëve që ruanin muzeun e Luvrit, do të zëvendësojë një strukturë të përkohshme që është vendosur në qytet në verën e 2016. Mëngjesin e së enjtes, në Paris foli presidenti i organizatës që kujdeset për kullën, Bernard Gaudillères, i cili tha se “muri antiplumb do të rrethojë pjesën më të madhe të kopshteve të Kullës Eiffel”, raporton Le Figaro.

Zoti Gaudillères tha se meqenëse muri do të bëhej me xham antiplumb, ai nuk do ta mbulonte pamjen e kullës dhe ajo do të ishte e dukshme që nga rruga. Muri i ri do t’i ndalojë turistët dhe, me shpresë, terroristët që mund të vijnë nga çdolloj drejtimi.

Tani, në vend që të hyjnë në monument nga rruga, vizitorët duhet të kalojnë shumë pika kontrolli mespërmes kopshteve. Pavarësisht këtij ndryshimi, Parisi ka thënë se për aksesin e kopshteve dhe sheshit katror poshtë kullës nuk do të kërkohen para.

Vendimi për të përdorur xham, që do t’i kushtojë Parisit rreth 20 milion dollarë, nuk do të lejojë që kulla të marrë pamjen e një “kështjelle” dhe nuk do t’i “shpërfytyrojë ndërtimet arkitekturore rreth e qark”, raporton Le Parisien.

Ky zhvillim vjen si pasojë e përpjekjeve të Parisit për të risjellë harmoninë turistike në qytet, e cila pothuajse është shuar për shkak të frikës nga terroristët dhe nga krimi në masë. Breitbart London raportoi në Janar se operatorët Kinezë të udhëtimeve kanë vënë re ulje të numrit të prenotimeve për në Francë; njerëzit preferojnë të zgjedhin destinacione më të sigurta si Italia, Spanja apo dhe Rusia.

/Veritas.com.al/