Deputeti i PD, Bedri Hoxha, ka folur lidhur me incidentin e sotëm, kur ai u godit me grusht nga një person.

“Ngjarja ndodhi 10 minuta para se të fillonte takimi, teksa po qëndroja një person erdhi dhe më goditi nga pas, ai është Demir Çupi, është një mostër, nuk e mora vesh se cfarë kishte. Më tha prapë “paske ardhur këtu i plehrë”. Kam bërë denoncim dhe i bëj thirrje prokurorisë dhe policisë që ti shkojnë deri në fund kësaj ngjarje, pasi më duket me prapavijë”, shprehet Hoxha për Report Tv.

“Kam qenë kryebashkiak dhe deputet, por kurrë nuk kam pasur incidente dhe një rast të tillë të kësaj natyre. Nuk e di se çfarë të them, por të gjitha gjasat të çojnë te ngjarja ka motive, por unë nuk mund të bëj horoskopin. Por rrjedhoja e ngjarjeve të mëparshme dhe të tanishme të çojnë aty. Kam bërë denoncim në komisariat kanë ardhur dy tre dëshmitarë. Nuk mora pjesë më pas një asnjë takim të Bashës dhe Selamit më pas, pasi shkova bëra denoncimin. Basha nuk më ka telefonuar, vetëm Selami”, deklaroi ai.

Burime zyrtare nga Policia sqaruan se pas incidentit, Hoxha është paraqitur në Komisariatin e Policisë Mat dhe ka bërë kallzim, ku ka deklaruar se rreth orës 13.10 të ditës së sotme, para hyrjes së Pallatit të Kulturës Burrel, për motive të dobëta e ka goditur me grusht D.Ç. (Demir Cupi) duke i shkaktuar plagë të lehta.

Çupi, më pas është shoqëruar në komisariat dhe ndaj ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë, nën akuzën për veprën penale “Dëmtime të tjera me dashje”.

Bedri Hoxha është deputet aktual i Kuvendit të Shqipërisë, ndërsa nuk do të jetë në legjislaturën e re që nis në shtator, pasi nuk ishte në listat e Bashës për zgjedhjet e 25 qershorit.

Veritas.com.al/