Një ditë pas incidentit te selia blu, ku një person i identifikuar si Fatjon Dauti shkelmoi një derë, janë marrë masa për të parandaluar sërish ngjarje të tilla.

Ndonëse ka pasur kamera në selinë e PD, në pamje duket se ka nisur instalimi i kamerave në ambientet e jashtme të selisë blu. Mësohet se kamerat e reja që janë instaluar janë me rezolucion më të lartë. Ditën e djeshme, ish-kryeministri Berisha dhe anëtarët e Komisioni të Rithemelimit të PD, mbërritën në selinë blu duke hyrë me forcë në ambientet e brendshme të saj.

Fatjon Dauti goditi me shkelm derën në të cilën u mbajt mbledhja e anëtarëve të Komisionit. Në konferencën për mediat, Berisha paralajmëroi policinë për personat që arrestohen në protesta si dhe bëri me dije se do t’i dërgojnë një shkresë Bashës për t’i njoftuar vendimin e referendumit për shkarkim.