Jurgen (Miri) Molla, 38 vjeçari nga Lezha që ka ndërtuar në Tiranë disa komplekse pallatesh, është arrestuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda si organizatori kryesor i trafikut të heroinës, hashashit dhe kokainës në vendet e Ballkanit dhe më gjerë. Ndërtuesi i njohur në zonën e Yzberishtit, që zotëron “Kompleksin Molla”, ka bashkëpunuar me tre biznesmenë të tjerë Shyqyri Kotorri nga Përmeti, Anesti Koromani nga Skrapari dhe Nuredin Nazëraj pronar i hotel “Delfin” në Vlorë.

 

Jurgen Molla përgjohej prej disa kohësh dhe në një nga bisedat e tij ai ka thënë se ka paguar 150 mijë euro për të larguar prokurorin e që po hetonte arrestimin e bashkëpunëtorit të tij Arben Prendi, të arrestuar në vitin 2015 me 20 kilogram heroinë në doganën e Morinës. Biseda e përgjuar, sipas Shqiptarja.com, ka ndodhur mes Jurgen Mollës dhe nënës së Arben Prendit.

 

Në bisedë përmendet emri i prokurorit të të transferuar. Ai është Anton Martini, ish -Prokurori i Krimeve të Rënda, për të cilin Molla i thotë nënës së Prendit se kishte mbaruar punë, duke e larguar për në Shkodër dhe se për këtë kishte paguar 150 mijë euro.

 

Faktet korrespondojnë me bisedën, vërtetësia e së cilës mbetet për t’u provuar. Arben Prendi u kap në doganën e Morinës në qershor të vitit 2015, siç thuhet në njoftimin e policisë për ngjarjen:

 

“Si rezultat i një operacioni antidrogë, në Kukës janë kapur 20 kilogram drogë e llojit heroinë e cila po transportohej me kamion nga Kosova drejt Shqipërisë. Droga u kap në doganën e Morinës dhe po transportohej nga shtetasi Aben Prendi 43 vjeç i cili drejtonte kamionin me traga AA09 IS. Sasia e heroinës ishte fshehur në kabinën e kamionit. Është bërë menjëherë ndalimi i drejtuesit të mjetit ndërsa materialet iu referuan Prokurorisë”.

 

6 muaj më vonë, me propozim të Këshillit të Prokurorisë, kryeprokurori Ardiatik Llalla transferon në Shkodër prokurorin e Krimeve të Rënda, Anton Martinin, që po hetonte mbi rastin e 20 kilogramëve kokainë të kapur në Morinë dhe kishte hetuar disa çështje të tjera të bujshme. Në mbledhjen e dhjetorit të vitit 2015 u transferuan edhe 6 prokurorë të tjerë.

 

Për përmbajtjen e telefonatës janë vënë në dijeni edhe krerët e prokurorisë shqiptare. Përmbajtja e përgjimit korrespondon me lëvizjen e prokurorit, por nuk është provuar nëse dy ngjarjet kanë lidhje me njëra – tjetrën dhe nëse janë paguar vërtet 150 mijë euro për të larguar Martinin nga hetimet. Arrestimi i Mollës dhe grupit të tij prej 30 anëtarësh mund të hedhë më shumë dritë. Grupi i Jurgen Mollës është hetuar prej më shumë se 1 viti nga prokurori Martini. Disa korrierë që Molla i përdorte për transportin e drogës janë arrestuar gjatë këtyre hetimeve. Operacioni “Ballkan” i drejtuar nga DEA dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda, i zhvilluar në Shqipëri, Maqedoni, Bullgari e Greqi çoi në arrestimin e 30 personave dhe shpalljen në kërkim të 23 të tjerëve. 7 persona janë kapur në në Tiranë, Durrës, Kukës e Fier.

 

  1. Jurgen Molla, 38 vjeç, lindur në Lezhë e banues në Tiranë. Ai është bashkëpronar në firmën e ndërtimit “MOLLA shpk”, nën emrin e së cilës është ndërtuar një kompleks pallatesh në zonën midis Yzberishtit dhe Kasharit. Njihet edhe me emrin Miri Molla.

 

  1. Shyqyr Kotorri, 38 vjeç, lindur e banues në Kreshovë, Përmet, investitor në fushën e ndërtimeve;

 

  1. Anesti Koromani, 35 vjeç, lindur në Skrapar e banues në Tiranë, investitor në fushën e ndërtimeve. Aktualisht i arrestuar;

 

  1. Nuredin Nazëraj, 63 vjeç, i njohur si Dilo Nazëraj, pronar i një hoteli luksoz në Vlorë;

 

  1. Lulzim Qorri, 42 vjeç, lindur e banues në Grabian të Lushnjës;

 

  1. Denis Sinameta, i njohur si Roland LLeshi, 36 vjeç, lindur e banues në Tiranë.

 

  1. Blerim Ukimeraj, 39 vjeç, lindur e banues në Kosovë.

 

Ndërkohë më herët janë arrestuar edhe 7 persona të tjerë, ndërsa janë shpallur në kërkim 2 anëtarë të grupit kriminal.

 

  • Në Shqipëri janë arrestuar 14 shtetas dhe janë shpallur në kërkim 2 të tjerë;

 

  • Në Greqi janë arrestuar 10 shtetas dhe 10 janë shpallur në kërkim;

 

  • Në Maqedoni janë arrestuar 5 shtetas dhe 7 janë në kërkim;

 

  • Në Bullgari është arrestuar 1 shtetas;

 

  • Në Kosovë 4 persona janë shpallur në kërkim.

 

Në total janë sekuestruar:

 

  • 26.6 kg lëndë narkotike Heroinë, nga të cilat 16 kg në Shqipëri

 

  • 1.8 kg lënë narkotike e llojit Kokainë në Greqi

 

  • 183.6 kg lëndë narkotike e llojit Canabis Sattiva

 

  • 33.615 euro në Greqi, 4700 euro dhe 1.5 milion lekë në Shqipëri

 

  • 4 armë të ndryshme në Greqi

 

  • 7 automjete me vlerë mbi 200 mijë euro në Shqipëri

 

  • 68 aparate celularë, si dhe një sasi e konsiderueshme kartash telefonike, karta bankare etj.

 

Në kuadër të këtij operacioni janë bërë gjatë harkut kohor të 15 muajve goditje të rëndësishme si:

 

  • Në datë 29 qershor 2015, në Morinë u arrestua në flagrancë shtetasi Arben Prendi, pasi në kamionin me targa AA 090 IF u bllokuan me cilësinë e provës materiale 15.2 kg Heroinë

 

  • Në datë 18 shtator 2015 pas informacionit të dhënë nga pala shqiptare janë arrestuar në Selanik 2 shtetas turq me 5 kg heroinë.

 

  • Në datë 15 dhjetor 2015 nga autoritete greke janë arrestuar 8 shtetas shqiptarë dhe janë shpallur në kërkim 10 të tjerë.

 

  • Në datë 30 nëntor 2015 në qytetin e Pogradecit është arrestuar shtetasi Viktor Behaj me një sasi prej 5.1 kg Cannabis Sativa

 

  • Në datë 21 mars 2016, në autostradën Fushë Krujë – Vorë nga kontrolli i ushtruar në mjetin AA 221 IS, u gjet sasia prej 560 gramë, e dyshuar si lëndë narkotike e llojit Heroinë dhe u arrestuan shtetasit Anesti Koromanin dhe Romeo Beqa.

 

Shtetasit Jurgen Molla, Shyqyr Kotorri dhe Anesti Koromani dyshohet të jenë në rolin e financuesit dhe të organizatorit të këtij aktiviteti për sigurimin e trafikimin e lëndëve narkotike nga Turqia në drejtim të Shqipërisë, për llogari të interesave të grupeve kriminale që operojnë brenda dhe jashtë vendit. (Sipas Lapsi.al)