Ëndrra për një jetë më të mirë, e detyroi që të merrte përsipër një rrugëtim të guximshëm, por fatkeqësisht kundër tij ishte e gjithë natyra. I riu, rreth moshës 27-vjeç nga Siria është gjetur i pajetë në Malin Moravës mbrëmjen e sotme dhe paraprakisht dyshohet se viktima ka ndërruar jetë për shkak të temperaturave të ulëta dhe borës, gjatë ecjes së tij në këmbë për të kaluar nëpërmjet shtigjeve.

Këto janë dyshimet paraprake, megjithatë do të jetë ekspertiza mjeko ligjore ajo që do të thotë fjalën e fundit. Identiteti i viktimës nuk dihen ende, e po ashtu nuk ka informacione nëse i riu ka ndërruar jetë ditën e sotme apo ka disa ditë.

” Më datë 08.12.2021, rreth  orës 21:30, në zonën e Malit Moravë, mbi fshatin Dishnicë, Korçë, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë dhe Forcat Speciale “Shqiponjat”, është gjetur i pajetë, pa shenja dhune, një shtetas ende i paidentifikuar, i cili dyshohet të jetë nga Lindja e Mesme. Grupi hetimor po punon për identifikimin e viktimës dhe përcaktimin e shkakut të vdekjes”, njofton policia.

Prej vitesh vendi ynë pret me qindra refugjatë kryesisht nga lindja e mesme, që përdorin Shqipërinë si “trampolinë” për të depërtuar në vendet e BE. Edhe pse policia ka intesifikuar kontrollet në kufi për të parandaluar kalimin e tyre, emigrantët sirianë vijojnë të kalojën grupe-grupe duke mundur të çajnë përmes kufirit të gjelbër.