Nga: L. Skiro/

Primitivi është ky: Të rinj të moshës 18 deri 25 vjeç festojnë dhe iu gëzohet shpirti duke shtënë me armë zjarri. Ka më shumë se 100 vjet kur një i ri shqiptar mund të ‘ndizte’ dasmën me të shtëna me armë zjarri. Por këta të rinj që festojnë kështu sot janë shpesh herë ‘më në gropën’ e primitivizmit.

Sepse para një shekulli, djaloshi që vinte dorën në brez e llogariste ku shkonte plumbi, edhe i numëronte me shumë kursim të shtënat…

Por tre të rinj në Sanxhak të Kurbinit nuk kanë dashur të dinë se sa egër festojnë në këtë shekull, nuk kanë dashur as të numërojnë fishekët që dolën nga gryka e armës dhe as të llogarisin ku po drejtohen. Natën e vitit të ri, tre të rinj: Alban Lika, Ernis Lika dhe Arbër Lika, kanë marrë armët dhe kanë qëlluar kuturu gjatë natës. Por një plumb mendohet se ka qëlluar një tjetër të ri, në kokë, duke i marrë jetën.

16 vjeçari Klajdi Gjeta ka qenë duke festuar në mënyrën e tij, në shtëpinë e tij, por ka mbetur i vdekur nga një plumb në kokë, i cili erdhi nga nuk dihet se ku. Mendohet se plumbi ka dalë pikërisht nga arma e njërit prej këtyre tre adoleshentëve.

16 vjeçari Gjeta nga fshati Sanxhak i Kurbinit humbi jetën natën e ndërrimit të viteve pasi kishte hipur në tarracë për të shpërthyer fishekzjarrë. Adoleshenti u gjet me një plagë të thellë në kokë dhe ekspertiza mjeko ligjore vërtetoi se kishte humbur jetën nga një plumb në kokë.

Sot policia njofton se janë arrestuar tre të rinjtë e dyshuar

Por nga erdhi dyshimi i Policisë?

Të rinjtë ‘e armatosur’ edhe pse vijnë nga edukata primitive e festimit me egërsinë e armëve, përdorin Internetin- këtë ‘mbret’ të kohës. Ata, teksa shinin me armë (kur mund të jetë goditur edhe djaloshi Gjeta) fotografoheshin dhe filmoheshin; pamjet i nisnin në facebook. Policia tani ka në dorë një video të hedhur në rrjetet sociale ku të tre kushërinjtë ‘Lika’ shfaqen  duke  qëlluar me armë zjarri në natën e ndërrimit të viteve. Të arrestuarit  kanë qëlluar me breshëri automatiku në fshatin Sanxhak ku dyshohet se  humbi jetën nga një plumb qorr edhe Klajdi Gjeta, 16-vjeç.

Primitivja i ‘mbron’, ndërsa epoka e Internetit i zbulon festimtarët primitiv.

Policia nuk e përjashton mundësinë që i riu mund të jetë goditur nga plumbat e nxjerrë nga arma me të cilën kanë qëlluar tre të rinj të arrestuar. Për zbuluar këtë ekspertet e policisë po analizojnë gëzhojat e gjetura në automjetin e tre të rinjve.

Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kurbin për veprime të mëtejshme për veprat penale “ Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.

Veritas.com.al/