“Ju nuk duhet të jeni partner me një Kafshë që vret popullin e tij me gaz dhe kënaqet duke e bërë atë!” tha Presidenti Trump në Twitter.

Pasi ambasadori i Rusisë në Liban tha se forcat ruse do të shkatërronin çdo raketë që niset drejt Sirisë, Presidenti amerikan Donald Trump tha të mërkurën se Rusia duhet të jetë gati, “sepse ato do të vijnë”.

“Ju nuk duhet të jeni partnerë me një Kafshë që vret popullin e tij me gaz dhe kënaqet duke e bërë atë!” tha Presidenti Trump në Twitter.

Në mesazhin e plotë të Presidentit Trump në Twitter thuhet: “Rusia ka premtuar se do të qëllojë çdo raketë që do të hidhej kundër Sirisë. Përgatitu Rusi, sepse ato do të vijnë, të bukura, të reja dhe “inteligjente!”. Ju nuk duhet të jeni partnerë me një Kafshë që vret popullin e tij me gaz dhe kënaqet duke e bërë atë!”.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov tha të mërkurën se të gjitha palët e përfshira në Siri duhet të përmbahen nga veprimet që mund të destabilizojnë rajonin.

Ndërsa zëdhënësja e ministrisë së jashtme ruse tha në përgjigje të komenteve të Presidentit Trump për Sirinë se “raketat inteligjente duhet t’i drejtohen terroristëve, e jo qeverive të ligjshme”.

Situata në Siri është tensionuar më shumë pas një sulmi të dyshuar me armë kimike të shtunën në Gutën lindore, në të cilin u vranë të paktën 40 vetë.

Shtetet e Bashkuara dhe disa aleatë të saj kanë fajësuar forcat siriane për sulmin, ndërsa Siria dhe Rusia kanë mohuar akuzat se ushtria e presidentit Bashar al-Asad ka ndërmarrë sulmin me armë kimike.

Veritas.com.al/