Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, të premten e 18 marsit ka marrë pjesë në ceremoninë e konkretizimit të marrëveshjes së Universitetit Bujqësor të Tiranës me Universitetin e Michigan-it në SHBA.
 Rama në fjalën e tij i ka cilësuar SHBA-të “miq’, duke përmendur dhe një fjalë të urtë shqiptare, e cila thotë: “Më mirë një një mik sesa një çiflig”.

Ai e ka cilësuar këtë një tjetër hap drejt ndërkombëtarizimit të universiteteve shqiptare, ku në qendër të këtij Memorandumi do të jenë kërkimet shkencore.

Jo vetëm, por edhe bashkëpunim akademik për trajnimet, zhvillimin e kurrikulës dhe sigurimin e cilësisë. Të gjitha këto e bëjnë më tej UBT-në një destinacion tërheqës për të rinjtë.

UBT-në kreu i qeverisë e ka quajtur një nga universitetet e të ardhmes. Kjo për faktin se ky Universitet ka arritur edhe një tjetër marrëveshje me Universitetin e Vjenës.

“Partneritetit strategjik i shtohet edhe bashkëpunimi ynë me Vjenën, ku falë ndërveprimit me të ne dëshirojmë që deri në 2030-tën të jetë universiteti si vëlla dhe si motër e Vjenës”, theksoi Rama.

Ndërsa bashkëpunimin e sotshëm e ka quajtur si një “shkëmbim energjie mes Shqipërisë dhe SHBA-ve”.

Sakaq Kryeministri theksoi se, “të gjitha burimet natyrorë janë të kërcënuara nga rritja eksponenciale e popullsisë në përgjithësi. Arsye pse jemi mbledhur këtu është themelore që ne ti japim këtij universiteti për të përshpejtuar adoptimin dhe modernizimin, duke shfrytëzuar burimet njerëzorë të universitetit. Këtu ka një kapacitet burimesh për shkak të traditës dhe eksperiencës”.

Të pranishëm ishin dhe ambasadorja e SHBA-ve në Shqipëri, Yuri Kim, rektori i UBT-së, përfaqësues të Universitetit të Michigan-it dhe ministrja e Arsimit dhe Sporteve, Evis Kushi.

Fjala e ambasadores amerikane

Në fjalën e saj ambasadorja e SHBA-ve, solli në vëmendje gatishmërinë e Shqipërisë për të pritur refugjatët afganë.

“Sot festojmë jo vetëm suksesin e këtyre studiuesve të përkushtuar, por edhe një partneritet të ri dhe lidhjen e veçantë të shqiptarëve, amerikanëve dhe afganëve. Jemi këtu për të përgëzuar të gjithë studiuesit nga Afganistani”, tha Kim në fjalën e saj.

Më tej ajo shtoi se, “ne punojmë drejt një qëllimi për t’iu përgjigjur situatave të vështira. Ky program master tregon angazhimin e USAID dhe profesionalizmin e qeverisë shqiptare”.

“Zyrtarisht SHBA-të dhe Shqipëria vendosën lidhjet diplomatike 100 vite më parë. Ne gjithmonë kemi qëndruar pranë njëri-tjetrit. Është e përshtatshme që ne bëjmë diçka që përfaqëson rritjen, që është arti për të punuar së bashku dhe mbajtur njëri-tjetrin”, e përmbylli fjalën Kim duke falënderuar dhe njëherë Shqipërinë për politikat dhe gatishmërinë e saj në kohë krizash.