Kjo fjali e ka shënjuar vizitën që po zhvillon Komisioneri për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e mirë në Bashkimin Evropian, Oliver Varhelyi, në Bullgari, ku pjesë e diskutimit është edhe integrimi i Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në union, si edhe zgjidhja e ngërçit mes Sofjes dhe Shkupit.

“Çështja për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut është kur do fillojmë procesin e negociatave të anëtarësimit. Nuk mund ta fsheh zhgënjimin tim, që jemi ende duke vazhduar të diskutojmë këtë çështje. Ne menduam se e kishim zgjidhur dy vjet më parë dhe tani kjo është sërish në tryezë”.

Kështu ka deklaruar Varhelyi pas takimit me kryediplomaten bullgare, Teodora Genchovska.

Ndër të tjera, ai ka shtuar se BE-ja duhet t’i besojë më shumë vetes dhe fuqisë që ka, duke kaluar nga natyra transformuese e zgjerimit.

Mbi ngërçin mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, ai theksoi se është gati të vizitojë rajonin sa herë të jetë e nevojshme, për të arritur hapjen e negociatave brenda qershorit.

“Lufta në Ukrainë na tregon, se jo vetëm që nuk kemi kohë për të humbur, por nuk kemi as interes për të humbur kohë”, theksoi ai.

Praktikisht, mbyllja e Presidencës franceze në BE, pra qershori, është data e caktuar për të kryer përpjekjet maksimale mbi hapjen e negociatave.