Frrok Çupi/

Hero është edhe vetë armiku. Në rastin tonë politik- Opozita është edhe armik, edhe hero për qeverinë që buron nga origjinë komuniste.  Si armik- qeveria do ta kishte ekzekutuar, por tani nuk ka mjete ekzekutimi: Shtetit tonë politik i ka mbaruar energjia për gjithë ‘motorin’ e tij: Ka mbaruar aftësia për të bërë zgjedhje pluraliste; Kuvendi është në fund të ditës; Avokatit të Popullit i ka mbaruar mandati; Drejtësinë e ka bllokuar; presidenti mbaron pasnesër në 24,.. edhe vetë qeveria nuk ka më fuqi ligjore… Po të ekzistonte opozita në periudhën e majtizmit të parë, shteti do ta ishte ekzekutuar ‘me ligj’; ndërsa këta as këtë zotësi nuk e mbajtën dot në dorë. Edhe atëherë, edhe tani, –  opozita është një “hero” që nuk e arrijnë dot, sado e dobët të jetë.

Tani të dy palët ndodhen në një pikë “biblike”. Ose qeveria do t’ia bëjë jetën të vështirë “heroit” duke e luftuar fizikisht- e para. Ose duke e rrethuar opozitën (hero) me një masë të madhe njerëzish dhe dhuratash që ia marrin mendjen. Analizat mbi Biblën kanë vënë në dukje se “në qoftë se vdekja nuk është bastarde sa duhet, nuk i bën dot gjë heroit”.

Por në rastin tonë, kur ndodhemi mes dy rrugëve: Ose opozita fiton betejën kundër mashtrimit, kundër vdekjes së pluralizmit politik, kundër helmimit të njeriut me drogë, kundër ndezjes së konfliktit civil rreth pasurisë me drogë, kundër banditizmit …., etj.; ose ‘heroi’ vdes për gjithmonë.

Vdekja e opozitës që mund të konsiderohet si “Vdekje e Dytë” pas viteve të regjimit të diktaturës, mund të vijë nga disa mënyra. Më e fundit është mënyra (përsëri biblike) ‘kur heroi mund të zbulojë shumë vonë se ju po e vrisni, se ju po e blini atë’.

Ka qindra mënyra para kësaj, po kaq barbare, që pritet se do të praktikohen në fushën e luftës për pushtet që do të kryejë qeveria e mbetur pa “mjete lufte ligjore”.

Ka mënyrën që të hënën, kur Opozita të dalë në sheshe në mbarë vendin dhe të bllokojë rrugët, ushtria e mbetur e qeverisë të sulet kundër njerëzve të zakonshëm dhe t’u thyejë brinjët. Sot media ka transmetuar një lajm sikur “policia ka kapur” kamionë të ngarkuar me blloqe betoni, që janë të Opozitës; por shoferët ishin edhe me gjoba të papaguara (!). Dhuna do të ndodhë atë ditë, sigurisht. Këta po thonë se populli do të luftojë kundër popullit. Por pyetja bëhet si në Bibël: A do të jetë Vdekja më e fortë se Heroi, apo e kundërta?! Ditën e manifestimit mbarëkombëtar, mund të shpërthejë konflikti qytetar. Qeveria, pasi ka mbetur pa mjete ligjore, mund të shpallë agresion militantësh kundër opozitës. Militantët e Rilindjes janë të atij lloji që  e urrejnë Demokracinë, në thelb e urrejnë pse u rrëzoi Idolin e tyre- diktatorin. Në qoftë se Shqipëria shkon në konflikt nga dita e hënë e tutje, kjo nuk siguron komoditet për qeverinë ish- komuniste. Por i siguron “nderin” që armikun hershëm e çoi në vdekje të dytë.

Ka njëqind mënyra të tjera para se të vijë te e fundit…Sidomos ndjenja e hakmarrjes e njerëzve që qeverisin aktualisht, ndaj “regjimentit” (po flas me gjuhën e tyre të vjetër) që rrëzoi “Vdekjen” që quhej komunizëm, përbën një forcë primitive kundër Opozitës Demokratike. Në qoftë se kryeministri, tashmë i mbetur vetëm me 11 ministra, i hap rrugë urrejtjes që manifeston në çdo moment, atëherë vendi do të përfshihet në skenarin e “konfliktit jashtë BE” që ka elaboruar kryeministri në akordancë me dy personalitete të tjerë: Thaçin e Kosovës dhe Vuçiçin e Serbisë. Fantazma e konfliktit është kërkuar deri në Msokë. Po e gjetën këtu afër- akoma më mirë për ta.

… Por mënyra e fundit për të vrarë heroin Opozitë, tanimë ka dalë në radhë të parë. A e di Opozita se qeveria kërkon vdekjen e saj “duke e blerë”? Kryeministri i vendit sot në Kukës tha se ‘në zgjedhje do ta zëmë ne vendin e Opozitës’. Kjo është vdekja e sigurt e Heroit. Diktatura kthehet prej fantazmës ‘hoxhaiste’- në realitet dhe zëvendëson Opozitën.

Qeveria ka nisur tregtinë e deputetëve dhe të atyre që opozita i ka lavdëruar si “personalitete”. Tregu është bërë më rrugëshkurtër: Në vend që të bliheshin miliona votues ditën e zgjedhjeve, blihen që sot dhjetë e pesëmbëdhjetë deputetë të Opozitës. Para institucioneve të Perëndimit qeveria del e “fituar”, ndërsa para Soros del me “dekoratë”.

Jemi në momentet kur po kërkohet “Vdekja e Dytë”. Në qoftë se ndodh kësaj here, do të thotë se Opozita paska lindur kot në vitin 1991.

/Veritas.com.al/