Shqiptarët nuk do ta harrojnë kurrë bujarinë dhe solidaritetin e presidentit të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Khalifa bin Zayed Al Nahyan. Ky është mesazhi i ministres së Punëve të Jashtme, Olta Xhaçka, për ndarjen nga jeta të ish drejtuesit të EBA.

“Të pikëlluar thellësisht për vdekjen e presidentit të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Khalifa bin Zayed Al Nahyan. Ne i shprehim ngushëllimet tona të përzemërta Qeverisë dhe popullit të Emirateve për humbjen e një lideri të madh bujarinë dhe solidaritetin e të cilit shqipatrët nuk do ta harrojnë kurrë. shpirti i tij pushoftë në paqe”, shkruan Xhaçka.

Presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Khalifa ka ndërruar jetë ditën e enjte në moshën 73-vjeçare. Sheikh Khalifa ishte President i Emirateve të Bashkuara Arabe prej vitit 2004, por roli i tij ka qenë kryesisht ceremonial, që kur ai pësoi një goditje në tru në vitin 2014.

Pas vdekjes së tij, vendin si President e ka zënë vëllai i tij, Mohamed bin Zayed, sipas raportimit të BBC-së. Përveçse ishte president i Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Khalifa ishte gjithashtu sundimtar i Abu Dhabit, kryeqyteti i pasur me naftë i shtatë Emirateve që përbëjnë Emiratet e Bashkuara Arabe.

Ministria e Çështjeve Presidenciale shpalli 40 ditë zie me flamuj në gjysmështizë këtë të premte, dhe pezulloi punën në sektorin publik dhe privat për tre ditët e para.