Ka ndërruar jetë në moshën 89-vjeçare piktori i njohur shqiptar, Sali Shijaku, i njohur ndryshe edhe si “Piktori i Popullit”.

Lajmin e ka shperndare vetë familja e Shijakut, i cili mbante edhe titullin “Artisti i Merituar” dhe njihej kryesisht për krijimtarinë e tij me pikturat njëfigurëshe.

Shijaku është cilësuar gjithnjë si një ndër piktorët më të rëndësishëm shqiptarë të gjysmës së dytë të shekullit të XX-ë, pasi pavarësisht shtrëngimeve të mëdha ideologjike që regjimi komunist imponoi mbi artin, arriti të krijonte vlera artistike moderniste në pikturën shqiptare.

Sali Shijaku ishte piktor kolorist, dekorativ dhe krijuesi i kompozimeve një figurëshe në artin piktorik shqiptar të çerekut të fundit të shekullit XX

Pasi kreu Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë, ai vijoi studimet e larta në Shën Petërburg të ish-Bashkimit Sovjetik.

Si tablo për mbrojtjen e diplomës së tij, ishte tabloja e madhe e titulluar “Heronjtë e Vigut”, të cilën ai e mbrojti me kthimin në Shqipëri.

Ndër veprat më të njohura, është edhe imazhi i Mic Sokolit, përpara grykës së topit, e cila solli edhe një rikonceptim në artin e Shijakut, duke e shkëputur atë nga mënyra e mëparshme e pikturimit dhe duke e bërë të eksploronte metodologji të reja brenda lëvrimit të artit të imazhit.

Veprat e Sali Shijakut janë pjesë e shumë koleksioneve të vyera si në Shqipëri edhe jashtë saj, përfshi këtu edhe galeri arti të shumta.