Nesër, 22 mars,  qytetarët në Tiranë duhet të lënë makinat dhe të shkojnë në punë në këmbë, për t’i dhënë mundësi, të paktën për një ditë, mjedisit që të ‘shpëtojë’ nga ndotja e gazrave të çliruar, por edhe për të kursyer naftë, në një kohë kur çmimi është rritur si pasojë e luftës në Ukrainë.

Bashkia e Tiranës ka rikthyer nismën “Dita pa Makina”, e cila synon ndërgjegjësimin e qytetarëve që të shmangin të paktën për një ditë përdorimin e automjeteve të tyre, të cilat janë edhe ndotëset kryesore të ajrit. Kryebashkiaku Erion Veliaj tha se është përcaktuar kjo ditë, edhe për faktin se nesër është pushim zyrtar, për shkak të festës së Sulltan Novruzit.

“E di që fëmijët mezi e presin një ditë pa makina, ndaj nesër e martë 22 Mars, si dite pushimi zyrtar, do rikthejmë sërish harenë e ajrin e pastër në Tirane duke iu bashkuar nismës së @AlbGov për qytetet që kursejnë naftë e tym, e lëvizin shëndetshëm”, tha kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj.

Nuk ka ende një vendim se cilët do të jenë rrugët të cilët do të bllokohet, teksa pritet një njoftim i mëvonshëm nga Bashkia e Tiranës.