Biznesmeni nga Elbasani, Edmond Stafa, i cili u arrestua nga Policia në ambientet e lokalit të tij në ‘Kala’, është vëllai i kryetarit të Këshillit të Qarkut Elbasan dhe ish deputetit socialist- Bukurosh Stafa.

Stafa, pjesë e PS-së është zgjedhur në krye të Këshillit të Qarkut Elbasan në mandatin 2015 – 2019.

Ne vitin 2005 deri në vitin 2009, ai është zgjedhur Deputet Kuvendi i Shqipërisë për zonën e Elbasanit, si pjesë e PS-së.

Vëllai i tij, 51-vjeçari Edmond Stafa është arrestuar mbrëmë. Edmond Stafa ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar; ai ishte dënuar me 10 vjet burg për veprën penale të trafikimit të lëndëve narkotike nga gjykata e Bergamos në Itali.

Stafa është pronar i hotel-bar-restorantit “Skampinit”, që ndodhet në zonën e Kalasë së Elbasanit, një vend i njohur në qytet.

Pritet që Stafa të ekstradohet drejt Italisë, ku edhe është dënuar.