Në Tiranë kishte rënë borë gjatë natës, por shiu e shkriu deri në mëngjes. Ndërsa në pjesën më të madhe të territorit të vendit tonë, bora ka rezistuar dhe është shtuar.

Bora ka mbuluar Gjirokastrën, Korçën, Elbasanin, Dibrën, Shkodrën, Bulqizë, Gramsh,  si dhe zona të tjera të vendit. Në Gjirokastër, Pukë dhe Fushë Arrëz është pezulluar mësimi për sot në të gjitha shkollat.

Edhe në Shkodër dhe Lezhë është pezulluar mësimi në disa shkolla si pasojë e reshjeve të borës dhe vështirësimit në qarkullim.

Rreth 25 cm reshje bore kanë mbuluar sërish qytetin e Gjirokastrës dhe rrethinat. Reshjet e borës që nisën mesnatën e mbrëmshme kanë qenë intensive gjatë gjithë natës dhe po kështu edhe ne ketë moment, duke vështirësuar qarkullimin në qytet dhe në akset nacionale. Rreth orës 3 të mëngjesit aksi drejt Kakavijës përshkohej me vështirësi dhe pati shumë bllokime dhe rrëshqitje të mjeteve në rrugë. Aktualisht akset kombëtare nuk janë të kalueshme për mjete të vogla, por vetëm me goma dimërore dhe me zinxhirë. Edhe në rrugën e për në qafën e Muzinës drejt Sarandës duhen përdorur zinxhirë. Të bllokuara janë zonat e Zagorisë e Pogonit, disa fshatra në Cepo dhe komuna Kurvelesh në Tepelenë ku trashësia e bores shkon në 40- 50 cm.

Bllokime ka patur gjatë natës dhe orëve të para të mëngjesit edhe në aksin Tepelenë – Gjirokastër. Në qytet qarkullimi i mjeteve është pothuajse i pamundur për momentin, por po punohet nga bashkia për hapjen e rrugëve kryesore. Në shumë lagje ngricat kanë çarë ose bllokuar tubacionet e ujit të pijshëm dhe mungesa e ujit është prezente. Vështirësitë më të mëdha janë për lagjet e sipërme ku sasia e borës është më e madhe. Ngrohja e munguar në shkolla ka bërë që pjesëmarrja sot të mos i kalojë 20%. Për këtë arsye Drejtoria arsimore ka vendosur pezullimin e mësimit në shkolla dhe zëvendësimin e saj në ditët e ardhshme. Situata paraqitet e njëjtë edhe në rrethet e tjera të qarkut.

Gjithë territori i Përmetit është mbuluar nga bora. Trashësia e dëborës varion nga 10 cm në lugine deri në 20 cm në njësinë  Administrative Frashër. Rruga nacionale Këlcyrë -Përmet Tri Urat është e kalueshme vetëm me zinxhirë për momentin. Rrugët rurale ne njësinë administrative Çarçovë, Petran, Frashër janë të bllokuara.

Mësimi në shkollat e qytetit të Përmetit ka nisur normalisht, pavarësisht orëve të shkurtuara dhe pjesëmarrjes së ulët.

E njëjta situatë paraqitet edhe në Korçë. Sipas raportimeve, në qytet trashësia e dëborës llogaritet nga 10-20 cm dhe temperaturat janë shumë herë më të ulëta dhe reshjet e borës janë më të dendura.

Akset Korçë-Voskopojë, Korçë-Dardhë, Korçë-Pustec dhe Qafë e Qarrit janë të kalueshme vetëm me zinxhirë. Ndërkohë rruga nacionale është e kalueshme por në disa segmente lëvizja e mjeteve bëhet me zinxhirë. Fshatrat në zonën e Mokrës, Kolonjë, në Maliq reshjet e borës janë më të dendura dhe më të rrezikuara për t’u izoluar.

Po ashtu mësohet se shkollat vijojnë me orë të reduktuara, edhe pse sot mësimi ka nisur në orën 9. Ndërsa shkolla e Sheqerasit apo Ormanit, mësimi është pezulluar për shkak të motit dhe reshjeve të dendura të borës.

Në qarkun e Elbasanit paraqiten vështirësi në aksin Përrenjas-Qafë Thanë, ku këshillohet vendosja e zinxhirëve. Për shkak të bllokimit të disa rrugëve, mësohet se mësimi është pezulluar në 7 shkolla të zonave të thella (Qafë, Guri I zi, Sericë, Qarret, Labinot Katund, Mollagjesh, Shilbater)

Situatë më problematike në Bulqizë paraqitet në fshatin Peladhi të Bulqizës. Nga Qafa e Buallit është i domosdoshëm qarkullimi i automjeteve me zinxhirë. Tërnova e Madhe dhe Tërnova e Vogël në Dibër vijojnë të jenë të bllokuara prej disa ditësh.

Gjithë rrethi i Gramshit është zgjuar nën ‘pushtetin’ e borës ku trashësia e saj arriti deri në 10 cm.

Aksi rrugor nga Gramshi drejt Elbasanit aktualisht është i hapur, ndërkohë që probleme paraqiten në zonat malore. Në këto zona qarkullimi i mjeteve bëhet me zinxhirë, ndërsa mësimi është pezulluar në dy qendra administrative si Kukur dhe Lenie.

Në qarkun e Beratit ka vështirësi në lidhje me furnizimin e energjisë e elektrike, për shkak të borës dhe erërave të forta.  Në Berat janë pa energji elektike që prej orëve të mëngjesit fshatrat:  Kostren (Kostren i vogël dhe Kostren i madh), Velçan dhe Osmënzezë.

Skrapar vijojnë të jenë pa energji elektrike fshatrat: Zhepë,Guraz,Çorotac dhe Cëricë,ku banojnë rreth 50 familje.

Veritas.com.al

foto galeri