Frrok Çupi/

Veriu i vendit, prej katër vjetësh i prozvalur nga qeveria e Rilindjes, duket se u bë pjesë e “atdheut politik”: Tre nga gjashtë ministra që u propozuan, janë me origjinë nga Veriu; ose kanë shërbyer në Veri si për shembull mjeku Arben Beqiri që tani e tutje do të jetë ministër i Shëndetësisë.

Sot është kompozuar qeveria e re me përbërje nga radhët e Demokratëve- sipas një marrëveshjeje politike të imponuar ndaj ‘Rilindjes’ nga dy aleatë të mëdhenj të vendit: Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania.

Më në  fund qeveria ka edhe veriorë.

Në qeverinë e deritanishme ndodhej vetëm një anëtare kabineti me origjinë nga Veriu i vendit. Zonja Kodheli, ministre e Mbrojtjes ishte më shumë prurje e nomenklaturës komuniste dhe e stafit të Bashkisë “Rama” se sa ardhje nga Veriu. Miklimi i Veriut sipas stilit të diktatorit Hoxha, por me ‘gotën bosh’ u bë praktikë edhe për qverinë e fundit të ashtuquajtur ‘Socialiste’ por që në fakt është e ‘Rilindjes’. Zonja Kodheli u ‘picked up’ nga një trevë krejt në Veri të hartës së vendit (Vermosh), por nuk kishte asnjë lidhje. As e deshi atë vend, as e promovoi, as u shfaq krenare. Ajo është bija e një komunisteje të egër që Byroja Politike e zgjodhi më të besuarën për ushqimin e Bllokut. Në epokën e demokracisë, zonja Kodheli bëri të pamundurën për të hedhur poshtë vlerat njerëzore të larta në ushtri ku ndodhet. Dritan Demiraj, ‘babai i Forcave Speciale’ sipas SHBA, që sot u emërua ministër, e ka quajtur ‘një injorante’… Të tjerë nuk kishte nga Veriu qeveria e Rilindjes. Njësoj si qeveria hoxhaiste që zgjidhte injoranten Gjela Biba si ‘model’ i grave të Mirditës.

Kryeministri i Republikës, Rama, ka krijuar një ‘maskë’ të veçantë fytyre për rastet kur përmend Veriorët dhe Veriun. Ai ose përqesh fjalën ‘qadër’, e cila thellë thellë është më shqip se ‘çadër’; herë i quan ‘alpinë’ që  nga Ksamili; herë të tjera qytetet veriore i lë pa investime qeveritare; herë të tjera thotë se ‘kur vij në Kukës më neveritet atdheu’. ‘Maska’ në fytyrën anti- veriore e kryeministrit, lehtësisht kopjohet dhe është kopjuar nga të gjithë anëtarët e kabinetit qeveritar. Madje rreziku është se neveria që perceptohet në shijen e kryeministrit, mejëherë bëhet pjesë edhe e militantëve të tij. Jo më kot në fillim përdora fjalën ‘prozvalje’- një fjalë e përdorshme në të folmen korçare, që ka kuptimin e neveritjes; por e përdora sepse me këto fjalë mund të bëhet më i qartë qëndrimi i dikujt që do të përbuzë dikë nga njëra krahinë në tjetrën.

Zakoni i vjetër i diktaturës së Hoxhës për t’i treguar veriorët ‘të egër’ dhe ‘primitivë’, kam përshtypjen se është rritur në qeverinë e Rilindjes. Rritur, në ç’kuptim?!… Në kuptimin se vetëm në tre vjet e gjysmë njerëzit afër qeverisë shprehin aq urrejtje për Veriun sa nuk e kanë shprehur kurrë. Sot në mediat sociale shkruajnë me urrejtje për ‘shpellarët’, për ‘malokët’, për ‘katolikët’, për ‘monstrat e veriut’. Shikojini… megjithëse me siguri i keni parë…. Më të shumtë janë ata që qeveria i paguan me fondet publike me detyrën e vetme që të shajnë ‘armiqtë e qeverisë’. Sot keni lexuar lajmin se Agjencia e Aviacionit ka bërë 38 emërime fiktive dhe këta ‘fantazma’ i paguan pa punuar… këta mund të jenë, dhe realisht janë, kontigjent i zgjedhur dhe i paguar vetëm për të sharë e shpifur në internet e media kundër armiqve të qeverisë.

Kaq e ndarë dhe e përçarë sa është sot klima dhe harmonia mes shqiptarëve- nuk ka qenë kurrë.

Pse është sot më e egër se në diktaturë urrejtja shtetërore ndaj Veriut? Sepse ‘vala’ e neverisë është rritur kaq shumë në vetëm 3 vjet, ndërsa e para ishte e shtrirë në 45 vjet. Edhe një arsye: Të paktën në kohën e diktaturës udhëheqësi thoshte me fjalë “jemi vëllezër”, ndërsa tani thonë: ‘jeni qadra’.

Të paktën atëherë dy njerëz u mbajtën në kupolë: Haxhi LLeshi e Ramiz Alia; sot asnjëri nga kupola e shtetit nuk i përket origjinës Veriore…

… Sot duket se u hodh hapi i parë i kthimit të Veriut në trojet e veta shtetërore: Nga 6 ministra të propozuar, tre janë nga njëra gjysmë e atdheut që quhet Veri.

/Veritas.com.al/