Policia ka dhënë versionin e saktë të ngjarjes së ndodhur paradite në një spital privat, ku një pacient humbi jetën. Ka qenë një pacient 57 -vjeçar, Lefter C, ai që ka hyrë në dhomën e një pacienti tjetër, D. Saraçi dhe pasi e ka lyer me benzinë i ka vënë flakën. Zjarri ka përfshirë edhe një grua, Sanie Sulaj, që po merrte shërbimin e dializës. Për pasojë ajo ka ndërruar jetë. Ndërsa autori i kësaj ngjarje dhe shenjestra e tij kanë marrë plagë të rënda.
Komunikata e policisë:
Më datë 25.07.2016, rreth orës 11:00, tek spitali Amerikan, në SQU, në brendësi të pavionit të Hemo-Dializës, ka rënë zjarr.
Në vendin e ngjarjes kanë shkuar menjëherë shërbimet policore dhe zjarrfikset të cilët bënë të mundur fikjen e zjarrit.
Shërbimet e komisariatit të Policisë nr 3 nxorrën jashtë godinës pacientët që ndodheshin brenda.
Nga veprimet paraprake te grupit hetimor i cili ndodhet  në vendin e ngjarjes  dyshohet   se zjarri mund të jetë shkaktuar me dashje nga pacienti i identifikuar si Lefter C., 57 vjeç .
Dyshohet se ka lind një konflikt midis dy  shtetasve Lefter .C  dhe shtetasit  D.Saraçi, 47 vjeç.
Shtetasi Lefter .C pasi ka mbaruar dializen ka shkuar në dhomën e shtetasit D.S , ka nxjerrë nga qesja një bidon dhe  dyshohet të ketë spërkatur me benzinë shtetasin  D.S dhe me pas i ka  vënë zjarrin.
Me nderhyrjen e infermierëve është bërë e mundur shuarja e zjarrit mbi autorin e dyshuar dhe të dëmtuarin .
Shtetasi D.Saraçi ka qenë i shtruar dhe merrte mjekim dhe në të njejtën dhomë me të ka qenë duke marrë mjekim dhe pacientja  Sanie Sulaj , 55 vjeçe  nga Mamurrasi e cila ka gjetur vdekjen si pasoje e asfiksisë.
Aktualisht shtetasi D.Saraçi ndodhet i shtruar në sallën  e reaminacionit pranë spitalit Ushtarak,  kurse autori i dyshuar ndodhet në spitalin American 2 .