Flakët kanë përfshirë një nga ndërtesat historike në qendër të Tiranës. Pak para mesnatës, rreth orës 24:00, Sarajet e Toptanëve janë mbuluar nga flakët. Zjarri ka qenë i qëllimshëm, teksa kamerat e sigurisë kanë filmuar autorin i cili largohet me vrap pasi i vuri flakët një nga godinave me arkitekturën më të veçantë në Tiranë. Autori i ka vënë zjarrin në 2 vatra nga dritarja e pasme, teksa kryebashkiaku Erion Veliaj ka hedhur akuza të forta duke thënë se e gjitha është e qëllimshme për të ndaluar shpronësimin e kësaj godine.

Nisur nga kjo, Veliaj thotë se ka biseduar me kryeministrin Edi Rama, i cili ka autorizuar shpronësimin e përshpejtuar. Gjithashtu nga sot e tutje kjo godinë do të ruhet 24 orë me roje si edhe do të shpallet muze e do të hapet për publikun.

‘Dje, nën stilin e Shkollës Kosova, u tentua djegia e objektit nga dritarja e pasme që pronarët të ndalojnë shpronësimin. Në mesnatë bisedova me KM  @ediramaal  i cili ka autorizuar shpronësimin e përshpejtuar për Sarajet si një nga aktet e para të qeverise së re. Ta harrojnë që aty do ketë ndërtim, e ta harrojnë që aty do ketë zjarr gjer sa te behet shpronësimi. Nga sot ka nisur regjimi 24h roje! Ngjarjet do rrjedhin si me poshtë: Shpronësim për 18 pronaret (jo të gjithë janë politikane piromanë) Shpallje Muze si ish Legata e Parë në Tirane dhe monument kulture, Rikonstruksion dhe hapje për publikun. Mirënjohje zjarrfiksëve & policisë për mbrëmë!”, shkruan ndër të tjera Veliaj.

Veliaj hedh akuza për zjarr të porositur nga pronarët, me qëllimin për të ndalur procesin e shpronësimit dhe për të ndërtuar aty pallate.  Në mënyrë indirekte, Kryebashkiaku Veliaj hedh akuza për ish presidentin Bujar Nishani, bashkëshortja e të cilit, (Odeta Nishani), është një nga bashkëpronarët e “Sarajeve”. Veliaj i përmend Nishanit, kohën kur si kryetar shteti doli kundër parkut të lojërave tek Liqeni Artificiale, dhe e akuzon për zjarrin në momumentin e Kulturës.

“Në dallim nga shumë objekte për të cilat bëhet zhurmë pa lidhje si Lodrat tek Liqeni apo ngrehina e tallashit te Teatri Kombëtar, objekti Sarajet është monument kulture. “Dje, nën stilin e Shkolles Kosova, u tentua djegia e objektit nga dritarja e pasme që pronarët të ndalojnë shpronësimin. Zjarrvënësit e vërtetë janë porositësit – edhe për këta nuk do ketë mëshirë. Politikanë që ditën merakosen per lodrat, e natën zjarrin qytetit!”, shkruan Veliaj.