Kontrasti mes fjalëve të Viktoria Nuland dhe tyre që artikulonte deri pak ditë më parë Donald Lu, ishte i qartë.

Zonja Nuland nuk e vuri në dyshim në asnjë moment nevojën për konsensus, për kalimin e reformës në drejtësi. Nga ana tjetër, Donald Lu i nxiste deputetët të votonin kundër qëndrimit të partisë së tyre.

 

Ndihmës sekretarja amerikane e shtetit mund të jetë informuar më parë se një tentativë për të “peshkuar” deputetë të opozitës dështoi. Takimet e Donald Lu me ligjvënësit demokratë duket se rezultuan pa sukses. Numri i votave të trafikuara dhe ato të mazhorancës, nuk mjaftonin për të kaluar reformën në drejtësi. Ndaj vizita e Nuland nuk ishte vetëm një shans tjetër për konsensus por edhe një kthesë e qëndrimit të ambasadës për reformën në drejtësi. A do të kërkojë më deputetë të opozitës Donald Lu, apo tashmë do të bëjë thirrje për konsensus?

Deklaratat e deritanishme të ambasadorit amerikan kanë qenë të forta dhe direkte për deputetët.

 

Në 27 qershor Lu deklaronte:

“Ndoshta udhëheqësit e partive politike të Shqipërisë kanë frikë nga kjo reformë dhe nuk janë të gatshëm të bëjnë asnjë marrëveshje. Në këtë rast, u bëj thirrje anëtarëve individualë të Kuvendit që të marrin përgjegjësinë për të votuar në favor të kësaj reforme. Votimi është planifikuar për datën 21 korrik. Është koha për të vendosur”

Ndërsa në 7 korrik, në një letër për deputetët, Donald Lu kërkonte votën e deptetëve të opozitës me këto fjalë:

“Ka ende kohë që udhëheqësit politikë të gjejnë një kompromis, që të mund të mbështetet si nga opozita, ashtu dhe nga mazhoranca. Duhet ta mbështesim të gjithë kërkimin për kompromis. Megjithatë, nëse udhëheqësit politikë nuk e duan kompromisin dhe nuk bien dakord për një tekst të përbashkët, ju bëjmë thirrje që ju ta votoni reformën”.

Donald Lu është pa dyshim një nga ambasadorët më të drejtpërdrejtë në deklaratat e tij publike. Mesazhi për orat e shtrenjta të gjyqtarëve dhe prokurorëve, përmendja publikisht e emrave të njohur të krimit si Emiljano Shullazi dhe Arben Frroku, ndalimi i vizave për gjyqtarët e korruptuar, kanë qenë qëndrime të forta të tij. Por duket se vizita e Ndihmës Sekretares amerikane të Shtetit do të pasohet me një tërheqje të ambasadorit, që nuk i ka mbetur shumë për të thënë, në këtë situatë.